ME KËNGËT E ULQINIT E SHKODRËS NËPËR BOTË

0
828

Nga RAMAZAN ÇEKA

 

“Tuj iu ngjit Bunës përpjetë” është një ndër këngët më të njohura që bilbili i këngës popullore ulqinake Shaban Gjekaj me interpretimin e tij brilant e ka përjetësuar në fondin e artë të këngës popullore qytetare. Kjo këngë është ilustrimi më i mirë për të shpjeguar lidhjet e vjetra kulturore e zakonore të dy qyteteve, Ulqinit e Shkodrës që natyrshëm banorët e këtyre anëve i quajnë vëlla e motër. Buna, ky lumë legjendar, i qetë e i lundrueshëm që buron në zemër të Shkodrës ka përkundur në ujërat e veta, jo vetëm varka, sule e galera me mallra, por edhe shkodranë e ulqinakë që kanë bartur me vete atë që mund ta quajmë “mall shpirtëror” kulturën e ndërsjelltë, traditën, zakonet, këngët e baladat.

Në këtë truall kulturor lindi dhe u rrit edhe Shaban Gjekaj, ky përfaqësues e përçues kulturor bashkëkohor i këngës popullore qytetare dhe në përgjithësi asaj shqiptare të trevave të Veriut. Ai, që në fëmini, u përkund me këngët e vjetra ulqinake, me këngët e detarëve me zë, me vallet e këndueme të peshkatarëve ulqinakë për t’u njohur më vonë me “ariet” e mrekullueshme shkodrane, me interpretimet e pavdekshme të Bik Ndojës, Marije Krajës, Luçije Milotit, Xhevdet Hafizit, Shyqyri Alushit e shumë e shumë të tjerëve .

Kohën kur Shabani kishte arritur pjekurinë e tij artistike, e kushtëzonte politikisht ndarja dhe izolimi ndërshtetëror, por Buna Plakë shkonte teposhtë dhe ngjitej përpjetë duke mbajtur të gjallë lidhjet e vjetra.

Shabani bashkë me Ulqinin e tij, u bënë “arkiva” e ruajtjes, regjistrimit dhe trashëgimisë së pasurisë folklorike të Anës së Malit. Bilbili i Ulqinit, kështu e quajnë këngëtarin e mirënjohur Shaban Gjekaj me 47 vite karrierë në skenë dhe ekran.

Shaban Gjekaj ka lindur më 1948 në Selitë të Ulqinit. Pasi përfundoi shkollën fillore në vendlindje dhe shkollën e mesme në Prishtinë, mbaroi studimet për fizikë dhe kimi në vitin ’69 në filialin e Universitetit të Prishtinës në Prizren. Shabani voli këngën popullore të Anës së Malit që ishte si urë lidhëse mes Ulqinit dhe Shkodrës, trevë ku kanë lindur këngë e balada të vjetra, perla të muzikës shqiptare, ku gërshetohen trimëria dhe dashuria, të cilat, falë talentit të tij i përvetsoi dhe interpretoi që në moshë të re.

Shaban Gjekaj ka lëvruar këngët më të bukura të këngëtarëve të shquar shkodranë me të cilat është rritur, duke dëgjuar në atë kohë, Radio Shkodrën dhe Radio Tiranën, në vitet e para të karrierës së tij, të cilat ishin të vetmet burime kryesore të atyre viteve, por edhe arsimimi i Shabanit, edukata muzikore dhe përvoja e këngëtarëve të Kosovës, e vendosën Shabanin në shtegun nga ku nis karriera e tij artistike.

Talenti, zëri i tij i mrekullueshëm, rritja me këngën ulqinake e shkodrane, arsimimi në Kosovë mes shqiptarësh, formuan portretin dhe personalitetin e tij artistik, për ta bërë kështu të njohur në gjithë botën shqiptare. Ky burrë i pashëm ulqinak, me një portret rrezëllues, sqimatar e xhentëlmen shpejt pushtoi skenat, ekranet dhe studiot radifonike, me një pikësynim të veçantë: këngën shqip.

Kështu, shumë shpejt, në vitet ’70, Shabani nuk ishte vetëm përfaqësuesi më i njohur i këngës dhe melosit ulqinak e shkodran në botën shqiptare, por ai u bë edhe ambasador i këngës shqiptare në ish Jugosllavi.

Për një kohë relativisht të gjatë mbi 37 vite, Shaban Gjekaj  punoi në arsim dhe së fundi drejtor i Qendrës Kulturore në Ulqin, deri në vitin 2011.

Gjatë kësaj karriere, rreth viteve ’70-80 ai ka kënduar rregullisht në emisionet që Radio Titogradi transmetonte në gjuhën shqipe, duke filluar emisioni me këngët e Shaban Gjekës. Po në këtë periudhë, fillon edhe  transmetimi në televizionin e Malit të Zi. Në emisionin “Mozaik” që jepej në gjuhën shqipe, me redaktor Fran Camaj dhe Zef Gjuravçaj me regjisor Hisen Bato Dukaj, protagonist ishte Shabani.

Nisur nga talenti, vullneti, dëshira dhe pasioni që Shaban Gjekaj kishte për këngën popullore qytetare, si dhe duke parë ecurinë e tij të suksesshme, një mik i Shabanit nga Tivari, Avdyl Zaganjori, në vitin ’71 i dhuroi katër kaseta me Aheng shkodran.

Moment tjetër i rëndësishëm që duhet evidentuar është edhe fakti që Shabani u pranua natyrshëm në RT e Prishtinës, duke u bërë këngëtari më i njohur i kohës për interpretimin burimor të këngës popullore.

Janë vitet ’90 kur, edhe pse nuk u hapen kufijtë shtetërorë, u shembën ato gardhiqe të përkohshme kulturore e tradicionale, që për dekada me radhë i ndanë shqiptarët nga njëri-tjetri. Shkojnë e vijnë këngëtarë e artistë shkodranë e ulqinakë për të rikthyer atë miqësi e bashkëpunim të vjetër që kanë pasur me shekuj.

Pas mbylljes së RTP, në vitin ’90, Shaban Gjekaj vazhdoi karrieren e tij duke realizuar inçizimet në produksione dhe studio të ndryshme në Ulqin, Tuz, Shkodër dhe Tiranë, të cilat janë në rrjedhën e krijimtarisë së tij të suksesshme, duke i qëndruar besnik jo vetëm traditës, por edhe kohës.    Sukseset e Shaban Gjekës vijnë edhe me krijimtarinë si autor. Ai krijoi këngë të reja, të cilat shumë shpejt u përvetësuan nga populli, sidomos këngët “Shestanesha” dhe “Oj Rumia kësulbardhë” që bartën jehonë motivuese të ruajtjes dhe kultivimit të vetëdijes patriotike dhe kombëtare në një zonë e cila kish filluar t’i jepej interpretimit dhe ndikimit të këngës sllave. Shabani, këngën ukqinake e këndon pa e deformuar, pra ashtu siç është kënduar para 100-200 vitesh, ku mund të përmenden “Ulqinaku n’derë t’dugajës”, “Moj Mejremja Kadri Mehmetit”, “Kadife moj kadife” e shumë e shumë tjera si këto.

Në karrierën e Shabanit një vend sa të rëndësishëm, aq dhe të suksesshëm zë edhe vajza e tij Ermelinda Gjekaj-Ali, me të cilën ka kënduar në vitet ’90-’93 në televizionin e Malit të Zi, në programet e vitit të ri, si dhe në festivalin folklorik mbarkombëtar në Tiranë, Shabani me  këngën e “Mujo Ulqinakut”, ndërsa vajza e tij Ermelinda me këngën “O moj ulqinake”, të kompozuar nga Fiqiri Hasanaga. Në këtë festival Ermelinda, e bukur dhe e lirë si një fëllanxë mali apo si një sirenë deti me veshje karakteristike shestaneshe, por edhe me zërin e saj të ëmbël solli përpara spektatorit shqiptar pasurinë e këngës popullore ulqinake duke korrur një sukses të merituar, si përfaqësuese e një brezi më të ri dhe si garantuese e vazhdimësisë së kësaj pasurie.

Aspak më poshtë nuk radhitet edhe djali i saj Muhamet Ali, i cili ativizohet në Hollivud, si një aktor i ri me të ardhme të madhe. Ai ka luajtur role kryesore në disa prej filmave për fëmijë që paraqiten në kanalet kryesore televizive siç janë: Nickelodeon dhe Disney XD. Gjithashtu u paraqit me sukses edhe në disa filma që u paraqitën në Sundance Film Festival. Performancat e këtij djaloshi në disa spote muzikore si aktor i ftuar special kanë qenë mbresëlënëse.

Kështu, këta interpretime të nipit plotësojnë më së miri trinomin e trashëgimisë artistike të një familjeje të mirëfilltë shqiptare që ruan të shenjta edhe vlerat kombëtare.

Shaban Gjekaj me repertorin e tij të larmishëm ka lënë gjurmë të pashlyera në interpretimin me mjeshtri të këngës popullore patriotike dhe qytetare, si kënga e “Dedë Gjo’ Lulit”, “Trinka e Grudës”, “Çun Mula”, (këngë të cilën e ka kënduar i pari), “Lufta e Zharnicës”, “Gjithçka shtrihen n’troje tona” me tekst të rapsodit Sali Mani dhe muzika nga Sokol Vulaj, “Për Kosovë s’më dhimbet shpirti” me tekst të Ibrahim Barjashit dhe muzika nga Nikollë Nikprelaj, “O bylbyl more këngëtar”, të cilën për herë të parë e ka kënduar këngëtaria Caje Poleshi, si dhe shumë këngë tjera të cilat kanë qenë të suksesshme pas viteve ’80.

  1. Shaban, ju keni dhënë një kontribut të çmuar në ruajtjen dhe afrimin e këngës tradicionale qytetare ulqinake dhe shkodrane. Asnjëherë nuk jeni shkëputur prej tyre, duke mos harruar edhe viset e tjera shqiptare. Si filloj karriera juaj artistike si këngëtar popullor?

Karriera ime muzikore e mirëfilltë filloi në Prizren, në Shoqërinë Kulturore Artistike “Agimi” në vitin ’68, duke u mirëpritur me shumë sukses në turnetë që organizoheshin në të gjitha qytetet e Kosovës. Rreth viteve ’70 deri në ditët e sotme vazhdoj të këndoj dhe të kontribuoj në qytetin e Ulqinit, por pa e shkëputur bashkëpunimin me RTP dhe Shoqërinë Kulturore Artistike “Agimi” në Prizren.

Cilat ishin këngët që me zërin dhe interpretimin tuaj ju bënë shumë të njohur dhe të dashur për publikun?

Po, ata janë shumë, por unë do të veçoja sidomos këngët: “Krisi topi”, “Ali Pashë Tepelena”, “Tuj u ngjitë Bunës përpjetë”, dueti me këngëtaren Lajde Berisha me këngën “Ma ke gishtin për unazë” dhe dueti tjetër me këngëtarin Muhamet Jetishi me këngën “Drandofilja lypte hije”.

Çfarë ndodhi në vitin ’68 pas suksesit që patët si këngëtar i talentuar?

Menjëherë erdhën ftesa nga redaktorë, producentë dhe kompozitorë të radios dhe televizionit të Prishtinës, përkatësisht nga z.Lorenc Antoni, redaktor, kompozitor i njohur dhe ndër studiuesit më të mirë të folklorit në Kosovë, duke mos e limituar kohën e inçizimit, por të regjistroja sa më shumë këngë të vjetra ulqinake dhe shkodrane me orkestren e Radio Televizionit të Prishtinës, që drejtohej nga mjeshtri Isak Muçolli.

Na tregoni diçka rreth turneve që keni patur në periudhën tuaj artistike kaq të larmishme.

Në vitet ’78-’79 kam qenë në dy turne në SHBA, Kanada, Australi e në shumë vende të tjera në troje shqiptare, me estradën e ish-Jugosllavisë, me këngëtarët më të afirmuar të asaj kohe, si: Shaban Shuliq, Meho Puziq, Ismet Kërciq, Olivera Katania, etj.

Në vitin ’79 për herë të parë vjen në Shkodër Ansambli i Ulqinit, ku u mirëprita me këngën “Zaganjorja” dhe ky ansambël u përfaqësua edhe me vallen e “Peshkatarëve”, duke dhënë shfaqje edhe në Tiranë Pukë, etj.

Në vitin ’80 mora pjesë në një turne në të gjitha qytetet e Shqipërisë, me Ansamblin e RTP, me gjeneratën më të artë të këngëtarëve të asaj kohe: Esat Bicurri, Ismet Bogujevci, Nazmie Hoxha, Luan Hajro, Nyzafete Shala, Faton Bakolli, Hanife Reçani nga Gostivari, etj, i cili mbetet për mua si një nga turnetë e paharruar.

Me cilët nga kompozitorë dhe poetë keni pasur bashkëpunime?

Kompozitorët dhe poetët me të cilët kam bashkëpunuar janë shumë. Mund të veçoj disa prej tyre, ato të Malit të Zi; Nikollë Nikprelaj, Sokol Vulaj, Shefko Dabi, Afrim Çoba, Gëzim Haxhimehmeti, me rapsodin e paharruar të Malësisë së Madhe Sali Mani, si dhe bashkpunimi me “Zëri i Kosovës”, “Fenix” në Tiranë, “Art klub” Ulqin etj, por pa u shkëputur edhe nga kompozitorët e mirënjohur të Kosovës Isak Muçolli dhe Isa Jakupi. Më pas vjen bashkëpunimi me kompozitorët më në zë të qytetit të Shkodrës dhe që ka qenë shumë i suksesshëm si: Pjetër Gaci, Zef Çoba, Nazmi Lishi, Luan Barova, Shpëtim Saraçi, Ilir Zoga etj. Të suksesshme kanë qenë edhe bashkëpunimet me autorët e teksteve si: Brahim Berjashi, Asllan Bisha, Haxhi Shabani, Basri Çapriqi, Bujar Ferhati, Gëzim Uruçi, Zyni Beqiraj etj.

   Z.Shaban, cilat janë orkestrat me të cilat keni punuar gjatë përvojës tuaj 47 vjeçare dhe me të cilat keni patur edhe suksese? 

Kam punuar me disa orkestra profesioniste të mirënjohura si: Orkestra e Shoqërisë Kulturore “Agimi”, orkestra e Radiotelevizionit të Prishtinës, orkestra e Shoqërisë Kulturore “Buna”, orkestra “Dasma e Ulqinit”, orkestra e Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Tiranë, si dhe me orkestrën e kompozitorit të mirënjohur Agim Krajka në SHBA. Por kujtime të paharruara dhe mbresëlënëse, janë edhe ato momente kur kam kënduar së bashku me këngëtaren Parashqevi Simaku.

Dhe tani të vijmë në një moment që nuk është thjesht statistikë, por tregues i karrierës suaj dhe mirëpritjes që ke pasur nga publiku. Sa këngë pra keni të regjistruara në radio dhe televizione?

Që nga  viti  1968 deri në vitet ’90 inçizova rreth 80 këngë, ku 13 prej tyre në vitin ’71 u inçizuan me orkestrën “Dasma e Ulqinit”, kur dhe  dolën edhe albumet e para (në pllaka gramafoni në atë kohë) me këngët “Ç’ka kalaja”, “Kush po vjen me temena”, “Mori kullë”, “Me jelek me barnavekë” e të tjera që tani edhe nuk më kujtohen.

Sa koncerte keni realizuar gjatë karrierës tuaj artistike?

Po, kam realizuar shumë koncerte në televizione të ndryshme si me RTSH, RTP, etj. të drejtuar nga regjisorët më të njohur në Shqipëri e Kosovë si: Ylli Pepo, Leonard Gjata, Gjergj Rita, Osman Mula, Vera Grabocka, Arjan Çuliqi, dhe me ato të Kosovës me producentin Musa Tolaj, me regjisorin Nuhi Matoshi dhe drejtorin gjeneral të RTP, Osman Gashi etj.

Kam realizuar edhe disa koncerte recitale ku do të veçoja atë në Teatrin “Migjeni”, në vitin 2001, në 35 vjetorin e karrierës sime artistike, me një sukses të jashtëzakonshëm, me orkestren e Shkodrës shoqëruar nga fizarmonicisti im Fiqo Dabi, ku salla ka qenë e tejmbushur. Në këtë eveniment jam shoqëruar nga grupi folklorik “Zana” i Ulqinit, me udhëheqës artistik kompozitorin Nazmi Lishi, koreograf Kabil Mehmeti dhe moderatore Silvana Braçe. Mikpritja e spektatorit shkodran ishte jo vetëm treguesi më i mirë i lidhjeve të vjetra Shkodër-Ulqin, por edhe i pjekurisë sime si artist i këngës dhe interpretimit. Ai koncert nuk do të më shqitet kurrë nga mendja.

A keni patur kolegë tuaj të ftuar në këtë përvjetor?

Po, shumë. Të ftuar specialë kanë qenë kolegët e mi të nderuar këngëtarët Vjoleta Zefi dhe Bashkim Alibali. Kam realizuar edhe një recital tjetër me “Jehona e Shkodrës” me producent Xhelal Halili, në vitin 2001 me orkestren e drejtuar nga fizarmonicisti shkodran Qemal Kajushi, si dhe fizarmonicisti nga Mali i Zi Fiqo Dabi.

Duhet të kujtoj edhe diçka…me Ansamblin Shtetëror të Këngëve dhe Valleve në Tiranë kam dhënë tre koncerte me këngëtarët më të njohur shkodranë si Xhevdet Hafizi, Shyqyri Alushi, Naile Hoxha, Hysen Koçia, Bujar Qamili, Bashkim Alibali, Mukades Çanga etj. Po me Ansamblin Shtetëror, në vitin 2004, kam dhënë një koncert ku ishin të pranishëm edhe këngëtarët Bujar Qamili dhe Elisabeta Marku, dhe që arriti një sukses të jashtëzakonshëm në Pallatin e Kulturës në Tiranë.

Na thoni diçka rreth pjesmarrjes tuaj në festivale dhe çmimet që keni marrë gjatë karrierës tuaj 50- vjeçare.

Jam pjesmarrës i disa festivaleve ku jam vlerësuar me çmime të ndryshme. Në vitin ’69 si “Interpretuesi më i mirë” në “Akordet e Kosovës” kur isha 21 vjeç me këngët “Shkollares fshatare” dhe “Pse ul’ kryet kur n’rrugë t’takoj” të kompozitorit Isak Muçolli. Në “Fest Federativ” në Vranaçka Banja në vitin ’71, në ish Republikën Federative Jugosllave, fitova çmimin e parë me duetin “Këndon bylbyli poshtë te zalli” me Gëzime Hajrullahun nga Tetova, si përfaqësues i RTP dhe “Rilindjes” ku çdo Republikë përfaqësohej  me nga një këngëtar.

Në vitin ’71 fitova “Çmimin e dytë të jurisë” me këngën “Lulja e këputur”, përsëri në “Akordet e Kosovës” në Prishtinë, pas këngëtares së madhe Nexhmie Pagarusha, e cila fitoi çmimin e parë. E quaj një nder të madh këtë vlerësim pas këngëtares së paarritshme Pagarusha. Po në vitin ’71 në Festivalin e Zërit të Ri të Jugosllavisë që shtrihej nga Vardari shqiptar e deri te Alpet e Sllovenisë, zura vendin e parë duke interpretuar një duet të kënduar nga Ibrahim Tukiqi dhe Luçie Miloti “Këndon bilbili poshtë te zalli”, një këngë kjo e Shqipërisë së izoluar që ngjitej në skenën e artit jugosllav, dhe që  dëgjohej me frikë nga shqiptarët e Ulqinit.

Edhe në Detroit në SHBA në vitin ’78, me orkestren e RTV të Beogradit me drejtues artistik Branimir Gjokiq, i shoqëruar dhe nga dy muzikantë shqiptarë në New York, vllezërit Mehmeti, “Shoqata Besa” më dhuruan një “Paher”.

Në festivalin e dytë mbarkombëtar të këngës kushtuar Kosovës, i organizuar nga Shoqata Atdhetare Kulturore “Kosova” e krijuar më 5 shkurt 1991 me President z.Dashamir Uruçi, organizatë e parë atdhetare kulturore për çështjen e Kosovës në Shqipëri, fitova “Çmimin e dytë të Jurisë” me këngën e “Mujo Ulqinakut” me tekst të Basri Çapriqit dhe muzikë të Nazmi Lishit. Në këtë festival morën pjesë këngëtarët më të mirë nga Kosova si: Ismet Peja, Esat Bicurri, Shpresa Gashi, Shkëlzen Jetishi, etj. me udhëheqës artistik Xhavit Ujkani.

Karriera juaj e gjatë nuk ka qenë thjesht një krenari për ju, por ka regjistruar në kredon tuaj artistike edhe emocine. Cilët janë pra disa nga momentet  më të bukura dhe emocionuese që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme?

Emocionet më përshkojnë trupin edhe tani që po flasim. Një ndër momentet më të bukura dhe emocionuese për mua është kur kam kënduar për herë të parë këngën “Tuj u ngjit Bunës përpjetë” në Tiranë. Këngëtari i Ansamblit Shtetëror të Tiranës Xhevdet Hafizi më dhuroi një buqetë me lule në Pallatin e Kulturës në Tiranë. E ndjeva veten shumë të nderuar, të vlerësuar e krenar që isha ulqinak dhe shqiptar. Por edhe një tjetër moment emocionues ka qenë kur jam nderuar dhe respektuar në Pallatin e Sportit në Shkodër, nga këngëtari i madh Shyqyri Alushi, i cili më dhuroi një tufë me lule, duke më falenderuar për zërin tim të bukur, pas interpretimit të këngës “N’Shkodrën tonë ka ra nji dritë”. Publiku në sallë u befasua nga që isha një djalosh i ri, mendoj i talentuar dhe që  kisha zgjedhur për këtë publik një nga perlat muzikore që i kushtohet Shkodrës.

   Nën autorësinë tuaj interpretative, siç e përmendët edhe më lart, ju keni shumë albume. Cilët nga këto, mendoni ju, se janë më të arriturit dhe që i kanë qëndruar kohës me këngë të cilat edhe sot këndohen me aq dashuri edhe nga brezat më të ri të këngëtarëve.

Në vitin ’85 doli albumi në kasetë audio titulluar “Zaganjorja” me 10 këngë me orkestren e RTP. Krijimtaria dhe prodhimtaria ime është e përmbledhur në 11 albume, duke arritur kështu një shifër të konsiderueshme prej rreth 180 këngë, ku në të cilat një pjesë janë edhe albume kolektive.

Intervistës sime po i afrohet fundi dhe lexuesi është i ndërgjegjshëm se ky bashkëbisedim është vetëm një copëz nga veprimtaria juaj artistike. Ju vazhdoni të jetoni në Ulqin. Ende edhe sot zëri juaj dëgjohet në radio, tv, koncerte, festa, gëzime familjare, fejesa e dasma, sepse shpirti dhe kënga juaj nuk plaket. A mund të na thoni ndonjë nga ëndrrat tuaja të kahershme? 

Ulqin-Shkodër vëlla e motër, njësoj janë, ska dallim, janë adete të njëjta, faktor ky, që nuk na ndanë. Një ëndërr e kahershme u bë zhgjëndërr së fundi nga Bashkia e qytetit të Shkodrës, duke më vlerësuar me titullin: “Mirënjohja e Qytetit”, me motivacion: “Për kontribut si përfaqësues tipik në interpretimin dhe afrimin e këngës tradicionale popullore ulqinake-shkodrane”, sepse, siç e dini, jashtë kufijve të Shqipërisë nuk ka përçuar kush më shumë se unë këngët shkodrane.

A keni ndonjë falenderim apo mesazh për kolegët, bashkpunëtorët tuaj apo brezin më të ri të këngëtarëve?

Po. Në veçanti rreth këngëve popullore qytetare falenderoj kolegët e mi këngëtarë të vjetër dhe të rinj, por duke i porositur të rinjtë që këngët tradicionale të ruhen dhe të mos devijohen.

Cilat  janë dëshirat dhe projektet tuaja në të ardhmen?  

Eh, shumë… dëshirat, planet dhe projektet e mia janë shumë, por do të veçoja realizimin e një recitali në Ulqin, Shkodër dhe Tiranë, si dhe botimin e një libri ku të përfshihen kujtimet nga karriera ime si këngëtar.

Ju falenderoj për bashkëbisedimin e ngrohtë.

Ju faleminderit juve.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here