Krijimtaria letrare ka gjithmonë arritje kur autori gjen burimin e frymëzimit nga jeta e përditshme dhe ambienti që e rrethon, por në rastin e këngës që unë po publikoj më poshtë është diçka ndryshe.
Në repertorin shumë të pasur të këngës popullore shkodrane, numrohen mbi 1000 këngë të vjetra e të reja, 1000 tituj që i këndojnë qytetit, natyrës, dashurisë, gëzimeve, historisë dhe fenomeneve të ndryshme të jetës së përditshme. Duke i lexuar ato, aq më shumë edhe duke i ditur shumë prej tyre, më lindi ideja për të realizuar një kolazh poetik me to, sigurisht që do të kisha shumë vështirësi. Por lidhja e këngëve të këtij repertori gjigand me njëra-tjetrën, me tematikë dhe muzikë, ma bëri më të lehtë, e kësisoj arrita t’i vë pranë njëri-tjetrit këto tituj këngësh që rrinë mirë jo vetëm në përmbajtje, por edhe në rrimë e metrikë.
Pasi e përfundova, e lexova dhe e stërlexova, u ndjeva shumë i emocionuar, sepse larmia e këtyre perlave popullore i bëri ato që të rrinin kaq bukur pranë njëra-tjetrës.
Jam shumë i kënaqur që vlerësime pozitive më dhanë edhe shumë miq të mi studiues, shkrimtarë, kritikë, kompozitorë, etj.
Gjithashtu jam shumë i lumtur që mora edhe vlerësimin e kompozitorit të paharruar Zyhni Beqiraj, i cili përmes muzikës së shkëlqyer që bëri, i dha jetë këtij teksti të titulluar “Me kët’ kangë du me fillu”, e orkestruar nga maestro Ilir Zoga dhe interpretuar me shumë mjeshtri nga këngëtari Luigj Alija, të cilët e paraqitën me shumë dinjitet në Festivalin e këngës popullore qytetare “Pranverë me këngë”.