Shqipëria e viteve ‘30-‘40! Kur transportin ajror ishte më i zhvilluar se ai rrugor

0
495

Fillesat e aviacionit në Shqipëri janë të lidhura me organizimin ushtarak të vendit. Në ligjin e vitin 1920 për organizimin e forcave të armatosura përcaktohej se ushtria shqiptare ndahej në fuqi tokësore, detare dhe ajrore.

Edhe pse fluturimet ajrore u përcaktuan me ligj si pjesë e forcave të armatosura, nuk mungojnë iniciativat për organizimin e transportit ajror civil. Në nëntor të vitit 1924 qeveria shqiptare nënshkruan një marrëveshje koncesioni 10 vjeçar me kompaninë gjermane “Lufthansa”.

Në bazë të kësaj marrëveshje u krijua shoqëria ajrore shqiptare me emrin “Adria Aero Lloyd”. Nisja e zbatimit të kësaj marrëveshje shoqërohet nga ndërtimi pak muaj më vonë i të fushës së parë në kryeqytet që do të përdorej për uljet dhe ngritjen e avionëve. Kjo fushë u ndërtua në zonën e Shallvareve, me sipërfaqe 400 me 200 metra dhe destinacionet e brendshme ishin Vlora e Shkodra.

3 vite pas nisjes së funksionimit, shoqëria “Adria Aero Lloyd” u ble prej zyrës së Aviacionit Civil të Trafikut të Ministrisë së Ajrit të Italisë. Kjo solli edhe zgjerimin e fluturimeve drejt qyteteve të tjera si Elbasani, Gjirokastra, Korça apo Peshkopia. Po ashtu, u hapën edhe linja ndërkombëtare me kryeqytetet më të rëndësishme;  Romën, Sofjen, Beogradin apo Podgoricën. Krahas zgjerimit të linjave të transportit ajror, në Tiranë nis të ndërtohet aeroporti në zonën e Laprakës.

Në fillim të viteve ’30 rezulton se në Shqipëri operonin rreth 40 avionë që përdoreshin për qëllime ushtarake por edhe për fluturime civile lokale dhe ndërkombëtare.  Statistikat zyrtare të kësaj periudhe dëshmojnë një rritje progresive të numrit të fluturimeve civile, ku në vitin 1928 rezultojnë më shumë se 800 pasagjerë që kanë përdorur transportin ajror dhe në një periudhë 15 vjeçare numri i pasagjerëve arrinte në më shumë se 4 mijë.

Në vitet ’30 -’40 transporti ajror i brendshëm mori një hov të madh, lidhur kjo me faktin se u ndërtuan aerodrome thuajse në të gjitha qytetet kryesore. Në këtë periudhë, Shqipëria rezulton si ndër vendet e rralla në botë që kishte më të zhvilluar transportin e brendshëm ajror sesa format e tjera të transportit.

Në raportin e Italisë për Shqipërinë në vitin 1940, jepen në mënyrë të detajuar linjat ajrore civile. Në kushtet e mangësive e vështirësive që paraqitej për transportin rrugor, tregtarët do të përdornin masivisht linjat ajrore të brendshme për të blerë e transportuar mallrat.

Linjat ajrore do të manaxhoheshin në këtë periudhë nga shoqëria italiane “Ala Littoria”. Avionët që do të përdoreshin përë këtë qëllim ishin me dy ose tre motorë, të markës Savioa-Marchetti dhe Breda, me kapacitet të vogël. Thuajse çdo ditë zhvilloheshin fluturime nga Tirana në qytete të tjera të vendit, ashtu sikurse edhe në qytetet e vendeve perëndimore.

Interesant është fakti se fluturimet drejt qyteteve jashtë vendit nuk bëheshin vetëm nga Tirana por edhe nga qytete të vogla si Devolli, Peshkopia, Vlora apo Shkodra. Kjo lidhet me faktin se për linja të tilla kishte interes nga personeli Italian që punonte në kompanitë që shfrytëzonin pasuritë natyrore.

Tarifat dhe linjat e fluturimeve ajrore

Transporti i pasagjerëve, i bagazheve dhe mallrave rregullohej nga direktiva e vitit 1933 për transportin ndërkombëtar dhe nga konventa e Varshavës e vitit 1929. Referuar këtyre rregullave, pasagjerët mund të transportonin bagazhe deri në 15 kilogramë.

Për tejkalimin e kësaj peshe, paguanin një tarifë shtesë. Për fëmijët në moshën nën 3 vjeç duhej të paguhej 10 për qind e tarifës normale. Fëmijët e moshës 3 deri në 7 vjeç paguanin 50 për qind të tarifës normale.

Ndërkohë, linjat ajrore tëkësaj periudhe ofronin edhe zbritje të çmimit në masën 50 për qind për senatorët, ministrat e shtetit e këshilltarët, sekretarët federalë, funksionarët e shtetit italian dhe shqiptar, prefektët, zyrtarët e forcave ushtarake italiane e shqiptare dhe familjet e tyre, gazetarët italianë, akademikët etj.

Po ashtu, kishte edhe zbritje të tjera të tarifës nga 30 në 10 për qind, në varësi të funksioneve të personave që udhëtonin. Në tarifën për fluturimet përfshihej edhe kostoja e sigurimit që arrinte në 100.000 lira italiane.

Fluturimet ajrore dhe tarifat

Gjirokastër-Romë 100 franga ari

Gjirokastër-Tiranë 28 franga ari

Gjirokastër-Vlorë 11 franga ari

Korçë-Romë 93 franga ari

Korçë-Tiranë 20 franga ari

Devoll-Romë 84 franga ari

Devoll-Tiranë 11 franga ari

Kukës-Tiranë 25 franga ari

Kukës-Shkodër-Tiranë 31 franga ari

Peshkopi-Romë 88 franga ari

Peshkopi-Tiranë 16 franga ari

Romë-Tiranë 500 lira italiane

Selanik-Tiranë 14 dollarë

Shkodër-Brindisi 44 franga ari

Shkodër-Kukës 20 franga ari

Shkodër-Romë 84 franga ari

Shkodër-Tiranë 11 franga ari

Shkodër-Kukës-Tiranë 25 franga ari

Sofje-Tiranë 28.5 dollarë

Tiranë-Gjirokastër 28 franga ari

Tiranë-Brindisi 35 franga ari

Tiranë-Korçë 20 franga ari

Tiranë-Devoll 11 franga ari

Tiranë-Kukës 25 franga ari

Tiranë-Kukës-Shkodër 31 franga ari

Tiranë-Peshkopi 16 franga ari

Tiranë-Romë 75 franga ari

Tiranë-Selanik 39 franga ari

Tiranë-Sofje 83 franga ari

Tiranë-Vlorë 17 franga ari

Vlorë-Gjirokastër 11 frangaari

Vlorë-Romë 90 franga ari

Vlorë-Tiranë 17 franga ari

Tiranë-Vlorë-Gjirokastër dhe Tiranë-Vlorë

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here