DITA E MIQËSISË 2020

0
706

Nga RAMAZAN ÇEKA

Një delegacion i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë viziton për herë të parë Luginën e Preshevës

Një grup gazetarësh i përzgjedhur nga Unioni i Gazetarëve të Shqipërisë, në bashkëpunim me shoqatën “Ressegnatia” të Elbasanit, për tre ditë me radhë mori pjesë në një veprimtari të titulluar “Dita e Miqësisë”, veprimtari që u zhvillua me pjesëmarrjen e kolegëve gazetarë në Shkup, Preshevë dhe Bujanoc.

Mikëpritja, por në mënyrë të veçantë bashkëpunimi dhe shkëmbimi i eksperiencave për tematika të ndryshme kombëtare, gjeopolitike, sociale e kulturore, tregoi se roli i gazetarëve është gjithmonë një faktor i rëndësishëm në problematikat që sot ka rajoni ynë.

E para e këti lloji, sidomos në ato vatra të nxehta ku informacionit i filtrohet e vërteta për arsye strategjike në favor të ndikimit serb apo maqedonas, i cili i mban akoma edhe sot të cunguar lirinë dhe të drejtat e shqiptarëve në trojet e veta.

“Për ta pohuar të vertetën, zbrit në terren që ta besosh e kuptosh edhe vetë e të kesh gojë dhe mendje të flasësh për të bindur opinionin publik mbi të vertetat dhe aktualitetin qe na rrethon”, mendoj se kjo ishte filozofia e asaj që organizatorët kishin si qëllim të finalizonin në këtë udhëtim pune me përfaqësuesit e fjalës së lirë dhe medias së shkruar në shërbim të lajmit të vërtetë.

Në kuadër të kësaj veprimtarie Unioni i Gazetarëve kishte një grup me përfaqësues nga e gjithë Shqipëria, ku degët përkatëse delegonin përfaqsuesit e tyre. Kjo veprimtari me këto përmasa dhe e këtij qëllimi mund të quhet e para e këtij lloji. Edhe unë si pjestar i grupit të gazetarëve të Shkodrës u ndjeva shumë i nderuar kur organizatorët vlerësuan me një Çertifikatë Mirënjohjeje Kryetarin e Unionit të Gazetarëve Qarkut të Shkodrës z.Gaspër Marku, i cili ka një kontribut të shquar, falë eksperiencës së gjatë si gazetar.

Veç kënaqsisë dhe ngrohtësisë së ambjentit të krijuar nga bisedat, batutat apo dhe diskutimet rreth problematikave të profesionit, udhëtimi ishte vërtetë i këndshëm, aq sa nuk e ndjemë fare lodhjen e rrugës.

Pasi arritëm në Shkup, në qendër të kryeqytetit të Maqedonisë, aty ku kalon lumi Vardar, në afërsi të stadiumit kombëtar Arena Nacionale “Filipi dytë” u akomoduam në hotel, i quajtur si “Park Hotel” dhe prekëm nga afër shërbimet, shijen dhe traditën shqiptaro-maqedonase.

Organizatorët kishin hartuar programin e veprimtarive sipas së cilit do të respektoheshin edhe oraret e takimeve, apo të lëvizjeve në grup. Pas një pushimi të shkurtër në Shkup, takimi i parë ishte menduar që më parë nga Kryetari i UGSH-së z. Aleksandër Çipa të zhvillohej me Kryetarin e Unionit të Gazetarëve të Maqedonise së Veriut z. Mladen Gadikovski.

Takimi kishte në fokus biseda miqësore me tema që lidhen me profesionin e gazetarisë si “Turizmi, trashëgimia kulturore apo edhe gazetaria”. Gjatë këtij takimi secili gjeti veten në fushen profesionale. Shkëmbim eksperiencash të ndërsjellta, diskutime dhe problematika të profesionit, të cilat veç njohurive për arsye të ndryshme kërkojnë edhe një masë guximi t’i trajtosh apo t’i diskutosh, sidomos kur burimet janë cënim për faktorin politik.

Bisedat kryesisht u fokusuan në shkëmbim eksperjencash personale e jo vetëm në kuadër të qasjes së rritjes së integritetit rajonal si modeli më i mirë bashkëkohor i afrimitetit ndërkulturor. Bisedat ishin mjaft frytdhënse, pasi informacionet që u shkëmbyen ishin me interes për të gjithë, qoftë për punën e përditshme apo edhe për projekte bashkëpunimi në të ardhmen.

Dita e parë ishte mjaft e ngjeshur me aktivitete dhe takime. U zhvilluan biseda mjaft miqsore dhe respektivisht të këndshme, pasi u njohëm edhe me jetën apo ngerçet politike dhe problematikat e saj aktuale. Më pas delegacioni i gazetarëve patën mundësinë të vizitojnë disa nga pikat turistike dhe historike të Shkupit.

Ishte vërtetë emocion kur kalon në sheshin pranë luftëtarit me kalë, pranë monumentit të Aleksandrit të Madh dhe shtëpisë përkujtimore e monumentit të Nënë Terzes, apo pranë monumentit të Skënderbeut, horoit tonë kombëtar.

Pas përfundimit të aktivitetit në Shkup, autobuzi i gazetarëve shqiptarë udhëtoi drejt kufirit me Serbinë dhe autoritetet kufitare e kishin marrë informacionin, kështu që nuk patëm probleme në udhëtim.

Takimi i rradhës ishte planifikuar të realizohej në Preshevë ku na priti Kryetari i Komunës së Preshevës z.Shqiperim Arifi. Edhe pse ishte ditë e shtunë, ai me stafin e tij na rezervoi një pritje të ngrohtë vllazërore në sallën e mbledhjeve të Komunës, ku kishte kaq shumë pyetje e diskutime dhe takimi vazhdoi përtej axhendës së përcaktuar.

Ddelegacioni i zgjeruar me gazetarë nga Unioni i Gazetarëve të Shqipërisë, u njohën me realitetin e minoritetit shqiptar në Serbi, që gjatë aktivitetit doli qartë se në një farë mënyre ai ishte braktisur në kërkesat e veta nga dy qeveritë shqiptare, e Shqipërisë dhe e Kosovës.

Presheva ka patur 38 mijë e 500 banorë, kurse sot janë 12-13 mijë me gjithë rrethinë, kur duhet të kishte mbi 100 mijë banorë. 70-80 mijë banorë kanë emigruar, janë jashtë nëpër Eurpë. Mungesa e punësimit dhe mosnjohja e arsimit në shqip nga Republika e Serbisë, i shtyn të rinjtë e Bujanocit, Medvegjës e Preshevës që, nga mungesa e prespektivës, të ardhmen e tyre ta shohin në Perëndim, larg vendlindjes. Shqiptarët e Luginës së Preshevës nuk mund të trajtohen Diasporë e Kosovës.

Në këtë shkrim, të cilin po e trajtoj më tepër si mbresa udhëtimi, njohjesh, takimesh e diskutimesh me kolegët tanë në këto vise ku ne shkuam, dua të veçoj kolegun tonë shkodranë Bepin Kolvata, i cili në këto takime tregoi se ishte mjaft i informuar për problematikat e ndryshme që lidhen me gjendjen e bashkombasve tanë që jetojnë në tokat e veta, por nën diktatin e një shteti tjetër.

Nuk mund të lë pa përmendur edhe pritjen vllazërore të mbarë Luginës së Preshevës, të cilët shprehën dashurinë dhe respektin e tyre për grupin e gazetarëve të Shqipërisë. Kjo pritje u duk që në vendkalimin kufitar, kur shërbimi policor i Preshevës i parapriu udhëtimit tonë.

 

Ditën tjetër takimet u zhvendosën në Bujanoc, aty ku gazetarët shqiptarë u pritën nga kryetari i Komunës, Shaip Kamberi, ku patën rastin që të njhen me problematikat aktuale dhe zgjidhjet e mundshme të tryre, në kuadër të bisedimeve dhe marrëveshjeve eventuale Kosovë-Serbi.

Me sytë nga qielli e zemrën nga shteti amë po vazhdojnë të mbajnë akoma të gjallë frymen kombëtare gjuhën, kulturën dhe traditën shpirtërore në luftën e pamëshirshme të asimilimit etnik ndaj edhe ky marshim i elitës së gazetarisë për këta shqiptarë ishte si një rreze shprese për të mos u ndierë si zogj të truar e të pavemendje e për t’u dhënë sadopak zemër në qëndresen e tyre për të gëzuar të drejta të plota si gjithë bota e qytetëruar, u shprehën mikëpritësit në këtë takim.

Zonj. Anila Basha gazetarja dhe analistja e njohur shqiptare, me një përvojë të gjatë në media, ndër të tjera tha: “Për të paren herë në Luginë një delegacion i zgjeruar me 70 gazetarë nga Shqipëria u njohën me realitetin e mjerë dhe braktisjen e minoritetit shqiptar në Serbi nga dy qeveri shqiptare, e Shqiperisë dhe Kosovës. Kjo vizitë e gazetarëve te Unionit ishte vërtet historike për impaktin e madh që pati dhe do vazhdojë të ketë me reagimin tonë”.

Me shumë vëmendje dhe interes u dëgjua edhe fjala e zonj. Rezarta Delisula, kryeredaktore e gazetës Shqiptare, e cila në fokusin e bisedës së saj kishte çështjen e problematikave dhe mbrojtjes së interesave të qytetarëve në Luginën e Preshevës.

Me drejtuesit vendorë në Preshevë e Bujanoc Z.Ragmi Mustafa i Këshillit Nacional të Preshevës në fjalen e tij tha: “Sot pata nderin e veçantë të bashkëbisedoj me kryetarin z. Aleksandër Çipa dhe me përfaqësues të tjerë të Unionit të Gazetarëve Shqiptar. Theksova nevojën e ndërkomunikimit më intensiv dhe falenderova për vizitën në Luginën e Preshevës. UGSH është nga organizatat e rralla që ka edhe dimensionin e përfshirjes së gazetarëve nga Lugina për çfarë edhe shpreha mirënjohjen për këtë dhe sensibilizimin e çështjes së Luginës në Shqipëri”.

U konsiderua një vizitë historike kjo e 70 gazetarëve shqiptarë nga qytete të ndryshme të vendit, shumica prej të cilëve për herë të parë vizitonin këto trojeve, me përfaqësues nga Kukësi, Shkodra, Tirana, Elbasani, Durrësi, Berati, Fieri, Lezha, Mati, etj, dhe siç u shpreh kryetari i Unionit të Gazetarëve, Aleksandër Çipa, ishte një vizitë e vonuar.

“Nuk ishte i paqëllimtë organizimi në Preshevën e “bojkotuar”. Ne kemi qenë edhe më parë nëpër Shqipëri, “Ditën e Miqësisë” dhe kemi qarkulluar nëpër qytetet tona. Më pas, vitin e kaluar, vazhduam në Ulqin dhe këtë vit mirëpritëm kërkesën e gazetaëve të Preshevës, Valon Gashit apo Nexhat Behlulit, që na kërkuan ta organizonim “Ditën e Miqësisë” në Preshevë. Jemi të gjithë të emocionuar për një vizitë të tillë” tha në fillim të aktivitetit Besim Dybeli, kreu i Unionit të Gazetarëve të Elbasanit.

Xhimi Vila, drejtues i shoqatës “Ressegnatia” që u angazhua me detajet e organizimit ishte më aktiv. Ai i informoi miqt për problematikat që ata mund të mos i njohin. Aty të gjithë gazetarët shqiptarë u njohen me hallet dhe problemet e këtij minoriteti shqiptar në Serbi, aty ku shqiptarët mbeten si jetimë, duke u kujtuar autoriteteve se me fjalën dhe zërin e tyre, do të bëjnë “rrëmujë” për të zgjuar sado pak interesimin në këtë zonë që konsiderohet si “Çameria e dytë”.

“Ëndërr e kam pasur ta shijoj këtë përjetim, prej nesrit edhe nëse vendosi më të mos merrem me këtë pasion, sepse unë gazetarinë nuk e kam profesion të parë. Ju miq të dashur mos u befasoni, sepse dëshira ime jetësore u realizua. Më falni për këtë emocion që nuk po e msheh” tha Nexhat Behluli, gazetari preshevar, njëkohësisht edhe drejtor i televizionit të Preshevës, i kudogjendur në aktivitetet e Unionit të Gazetarëve sa herë ato organizohen edhe në Shqipëri.

U zhvillua një bisedë tepër e ngrohtë dhe miqësore, e cila falë diskutimeve dhe rëndësisë së tyre zgjati pak më shumë se ishte planifikuar. Pas kësaj bisede të këndshme stafi kishte planifikuar nje guide të shpejtë, për të shijuar bukuritë e këtij qyteti me kulturë dhe histori të lashtë shqiptare dhe një drekë të shijshme vllazërore. Pas kënaqësisë që morëm në këtë qytet, udhëtimin e vazhduam drejtë Bujanocit, ku kishim të planifikuar takimin e pasdites me Kryetarin e Komunës z.Shaip Kamberi, ku i pranishëm ishte edhe deputeti z.Fatmir Hasani, i vetmi në Luginën e Preshevës e Bujanocit.

Ndërkohë gjatë mbrëmjes në Bujanoc, nga Beogradi, udhëtuan 400 kilometra për të ndjekur nga afër këtë aktivitet, edhe ambasadori shqiptar në Beograd Ilir Boçka dhe zv.ambasadori Virgjil Muçi. Dy personalitetet vlerësuan gjithashtu iniciativën e Unionit të Gazetarëve të Shqipërisë, si e para organizatë gazetarësh që ka kthyer vëmendjen nga Lugina e Preshevës. Kërkuan që nëpërmjet artikujve dhe përjetimit të këti aktiviteti, të merrnin me vete për në Shqipëri një copë Preshevë, duke u kërkuar shqiptarëve si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë e kudo që janë, që të kthejnë sytë nga zona e harruar e Preshevës.

Pas këtij takimi, aktiviteti vazhdoi me një bashkëbisedim rreth tematikës “Turizmi i Luginës i integruar si pjesë e turizmit rajonal”.

Dita e dytë u mbyll me një darkë në këtë qytet, si dhe me biseda të ndryshme profesionale e shoqërore që e bëjnë tepër të rëndësishëm për secilin prej nesh këtë udhëtim dhe eksperiencë pune.

Dita e tretë ishte sërisht e planifikuar me takime pune, ku që në orët e para të ditës grupi ynë do takohej me Kryetarin e Keshillit Kombëtar Shqiptar ne Luginë z.Ragmi Mustafa.

Dëshiroj të falënderoj përzemërsisht kolegët të cilët me vlerësuan në “Ditën e Miqësisë “së Unionit. Në mënyrë të veçantë falenderimi shkon për shoqatën “Ressegnatia” me drejtues Xhimi Vila. Kjo shoqatë është bashkudhëtare e aktiviteteve të UGSH-së dhe organizatorja e “Ditës së Miqësisë” së gazetarëve, së bashku me UGSH dega Elbasan, event i cili shënoi edicionin e tetë në Shkup-Preshevë-Bujanoc.

Dhënia e këtij vlerësimi në një ditë të shënuar të Unionit dhe në një atmosferë festive e miqësore gjatë turit të vizitave në Shkup-Preshevë-Bujanoc me pjesmarrjen të shumë gazetarëve miq dhe personalitete të ftuar ma shton jo vetëm kënaqësinë, i qenë i vlerësuar, por njëherazi dhe detyrimin tim për ta shtuar dhe forcuar kontributin tim miqësor në këtë organizatë mbarëkombetare dhe mbarëshqiptare siç është “Unioni i Gazetarëve”. Me këtë rast dëshiroj të falënderoj gjithë kolegët pjesmarrës për atmosferën e krijuar për tre ditë radhazi. Falënderoj kolegët organizatorë Xhimi Vila dhe Besim Dybeli.

Gjithashtu kontributi dhe moderimi i këtij eventi do ishte i mangët pa kreun e UGSH Aleksandër Çipa. Pra falenderimi shkon dhe për përkushtimin e zotit Çipa. Por merita dhe falënderim pa fund meritojnë vëllezërit tanë mikpritës të Luginës. Ishin ditë të bukura mes miqsh kolegë nga gjithë hapësira shqiptare.

Pas tre ditëve të kësaj veprimtarie, e cila u mbyll në Preshevë, u muar një angazhim nga gazetarët shqiptarë: Historia ka qenë e padrejtë me shqiptarët e Luginës, por kjo nuk do të thotë se nuk mund të ketë rikthim të vëmendjes me shkrime e artikuj ndërgjegjësues e shigjetues për autoritetet shqiptare e kosovare, për të qenë gjithmonë pranë problemeve kaq të rëndësishme historike e sociale që ka kjo pjesë e kombit tonë, duke rezervuar më shumë kohë televizive, më shumë hapsirë botimi dhe më tepër informacion për çështjet e Preshevës.

Në përfundim të gjithë kësaj veprimtarie u shtrua një sofër shumë bujare dhe e këndshme, ku përformoi Shoqëria Kulturore Artistike “Presheva”, me muzikë tradicionale, me veshje dhe kostume popullore, si dhe një grup valltarësh, çka i dha mbrëmjes një emocion tejet të veçantë.

Mbyllja e kësaj dite dhe krejt aktivitetit u finalizua me një guidë turistike, me shëtitje nëpër qytet dhe me vizita në qendrat e tij muzeale.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here