Nga RAMAZAN ÇEKA
Edicioni i shtatë i “Ahengut Shkodran” 2019
Trashëgëmia kulturore shqiptare i ka rrënjët shumë të thella në historinë e kombit tonë. Pavarësisht se për mijëra vjet në trojet tona kanë hyrë dhe kanë dalë uzurpues nga Përendimi dhe Lindja, kjo pemë e lashtë, që ne e quajmë traditë nuk është shkulur nga rrënjët që ka thellë në tokë, as nuk është tharë në degët e saj, por ka ruajtur origjinen dhe etninë e lashtë, duke na sjellë deri në ditët tona frytet e një krijimtarie kulturore dhe shpirtërore popullore, të cilën si në asnjë vend e komb tjetër, shqiptarët e sotëm e ruajnë dhe e trashëgojnë në të gjitha trojet e veta.
Kjo duhet të ketë qenë edhe arsyeja kryesore që kjo trashëgimi të bëhet pjesë e trashëgimisë kulturore europjane e më gjërë. Kjo duhet të ketë qenë arsyeja që nga kultura shqiptare të përzgjidhen edhe shtatë kryevepra, të cilat nuk janë vetëm pasuri e jona, por e gjithë kontinentit të cilit ne i përkasim.
Është një krenari mbarëkombëtare dhe këtë vazhdimësi ne e shohim çdo ditë në krijimtarinë artistike dhe shpirtërore të brezit të ri në mbarë komunitetin shqiptar kudo që jetojmë, në Shqipëri, në Kosovë, në Mal të Zi, në Maqedoninë e Veriut, në Europë, në Amerikë, deri në Australinë e largët.
Angazhimi dhe përkushtimi i organeve drejtuese vendore dhe instisucioneve kulturore e historike të qytetit të Shkodrës janë si vetë degët e kësaj peme tradicionale, pasi ata për çdo vit nga degët e saj “vjelin” frytet e pemëve pasionante të artistëve shkodranë.
Kështu pra, në kuadër të Ditëve Europiane të Trashëgimisë Kulturore, Bashkia Shkodër në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Veprimtarive Tradicionale Tiranë dhe Qendrën Kulturore “Pjetër Gaci”, Muzeun Historik Shkodër dhe Teatrin “Migjeni” organizuan “Ahengu Shkodran”, si një ndër shtatë kryeveprat e trashëgimisë kulturore kombëtare.
I titulluar “Ditët e Trashëgimisë Kulturore” aktiviteti i sivjetëm për tre ditë me radhë hyri në edicionin e tij të shtatë dhe këtë vit organizatorët e sollën atë në një performanc krejtë të veçantë. Trashëgimia kulturore e shpirtërore që lidhej me muzikën dhe këngët e trashëguara gjeti edhe dy “skena” të reja, të cilat ishin aq të vjetra sa vetë kjo krijimtari. Këngët e përzgjedhura nga repertori qindravjeçar i këngës popullore qytetare shkodrane, i njohur ndryshe si “Ahengu Shkodran”, u përformuan në odat e tri shtëpive tradicionale që i kanë rezistuar kohës dhe që duhen evidentuar.
Kështu pra, për tre netë me radhë, këto këngë u sollën në shtëpinë e rilindasit të shquar Vaso Pash’ Shkodrani (Pashko Vasa), në shtëpinë e qytetarit të nderuar “fanatik” i ruajtjes së vlerave shkodrane Engjëll Çeka, për t’u përmbyllur në shtëpinë e famshme të patriotit shkodran Oso Kuka, aty ku në një farë mënyre për shtatë vite me radhë ka qenë në atë oborr të mrekullueshëm edhe shtëpia e vet për “Ahengun Shkodran”.
Natyrisht meriten kryesore për të shtatin vit radhazi e ka Bashkia e Shkodrës, jo vetëm për mbështetjen financiare, por për qëllimin që të rikthejë në vëmendje vlerat e trashëgimisë në shekuj, t’i mbajë të gjalla ato dhe në mënyrë të veçantë t’i transmetojë në qytetin tonë nga njëri brez në tjetrin.
Para pak kohësh u nda nga jeta përfaqësuesi i fundit i “Ahengut Shkodran” i famshmi këngëtar i Shkodrës Shyqyri Alushi “Artist i Merituar”, por i njohur në gjithë trevat shqiptare jo vetëm për repertorin e pasur dhe zërin e mrekullueshëm, por edhe si një trashigimtar “fanatik” i teksteve të trashëguara rreth 100-150 vjet më parë. Ai mori pjesë deri në edicionin e vjetshëm, në të cilin me shumë mall u shpreh se: “Ahengu Shkodran më dha jetë dhe unë atij i kshtova jeten time”.
Ai mungoi në edicionin e sivjetëm, por nuk mungoj kënga e tij, pasi ai la prapa jo vetëm emrin e tij, por edhe atë që për gjithë jeten ishte përpjekur ta trashëgojë tek brezat e rinj.
Pikërisht këta breza të rinj erdhën para publikut shkodran dhe sollën këtë radhë një freski të mahnitshme, interpretime brilante të këngës popullore qytetare shkodrane.
Këngëtari i paharruar Shyqyri Alushi nuk ishte fizikisht, por për pak çaste gati dukej se ishte aty, pasi drejtori i Qendrës Kombëtare të Veprimtarive Tradicionale Niko Kotherja i dorëzoi djalit të këtij artisti, Faik Alushi një dekoratë mirënjohjeje për kontributin në ruajtjen dhe përhapjen e këngëve më të bukura të “Ahengut Shkodran”.
Kotherja përfitoi nga rasti që para publikut shkodranë të lavdëronte punën e bërë nga institucinet shtetërore e kulturore të qytetit, por u ndal edhe në lidhjet dashamirëse në shumë fusha mes Shkodrës dhe Korçës, lidhje që siç u shpreh ai, lidhen me këngën, me muzikën, me fotografinë, sportin, e pse jo edhe me krushqitë e shumta që janë bërë. Ky rrëfim kaq me ndjenjë e pasion u mirëprit nga publiku shkodran dhe u duartrokit.
Me këtë rast çertifikatë mirënjohjeje u nderua edhe familja Salabegu për kontributin e njohur në kultivimin dhe përjetsimin e muzikës shkodrane e shqiptare. Këtë çertifikatë e mori në emër të familjes Salabegu vetë kryetarja e Bashkisë së Shkodrës zonj. Voltana Ademi, e cila e ndoqi këtë aktivitet edhe vetë personalisht për tre netë me radhë në të tria odat ku ushtonte “Ahengu Shkodran”, si i thonë “Si ne moçme”. Ajo jo vetëm që vlerësoi punën e madhe të institucioneve vendore e qendrore, si dhe atyre artistike e kulturore, por edhe inkurajoi të gjithë pjesëmarrësit që kjo traditë ashtu si shumë të tjera që mbajnë vulën e qytetit të Shkodrës, të jetë një vazhdimësi, duke u përçuar tek brezat e ardhshëm.
Repertori i këngës popullore qytetare shkodrane është si një libër i madh, ku artisti popullor ka hedhur shpirtin e tij, ku artisti popullor poet e muzikant ka përjetësuar kryevepra të pavdekshme, duke u bërë pjesë e shpirtit dhe qytetarisë shkodrane dhe duke lënë prapa një pasuri të paçmueshme, që edhe sot e trashëgon në dasma, në gëzime e në skena nëpërmjet artistëve të rinj që Shkodrës kurrë nuk i mungojnë.
Nata finale, nëse mund ta quajmë kështu, shpalosi vlerat e këtyre artistëve në oborrin e mrekullueshëm të shtëpisë karakteristike të Oso Kukës që sot gëzon edhe statusin e Muzeut Historik të qytetit të Shkodrës.
Oborri i gjelbëruar, pemët hijerëndë, rrugicat me kalldrëm, puset e skalitur, shkalla dhe çardaku, avullitë e ngurrta dhe pullazi qindravjeçar ishin skena e këtij teatri të mrekullueshëm ku kishin ardhur me qindra dashamirës të këngës popullore qytetare shkodrane, për të dëgjuar këngët e tyre, artistët e mrekullueshëm të Shkodrës, të vjeër dhe të rinj.
Këtij oborri skenik i dhanë aromë të këndshme që në hapjen e spektaklit “Karaifilat që ka Shkodra”, grupi aq pristigjoz, i famshëm dhe i pashtershëm i këngës, grupi që, që në themelimin e tij nuk pushoi së jetuari, por gjithmonë u rinovua me gjak të ri këngëtarësh, të cilët si në një anije kanë një kapedan dhe ky është këngëtari që nuk njeh moshë, një ndër themeluesit e grupit, Ruzhdi Çekaj.
Këngët u interpretuan sipas programit dhe në skenë përformuan këngëtare e këngëtarë të mrekullueshëm. Aty u ngjit në skenë zonja e këngës shkodrane “Mjeshtrja e Madhe” Mukades Çanga, Leonard Guga, Blerta Cinaj, Laorjan Ejlli, Adelina Correj, Klodiana Vata, Niki Mjeda, Artenisa Mithi, Klinsman Llazani, Xhuljana Pjetraj, Migena Buci, Armela Mehmetaj, Ademir Fresku, Glerdit Turmetaj dhe Kristi Ndoja.
Një meritë të veçantë organizimi i këtij spektakli ishte sepse ishte organizuar ndryshe nga herët e tjera dhe kjo meritë i takon drejtuesëve të tij, duke filluar nga regjisorja Rajmonda Marko e me radhë, drejtori artistik Bardhyl Hysa, drejtori organizativ Sidrit Lohja dhe koreografi Aldo Nika.
Këtu do të veçoj moderatoren e mrekullueshme Gentjana Daka që si të thuash me grintën dhe performancën e saj ka kohë që i bën për vete spektatorët.
Ky eveniment u ndoq dhe u regjistrua nga gazetarët dhe kamerat e të gjitha televizioneve lokale, për t’u bërë pjesë e ekranit të vogël në çdo familje shkodrane dhe më gjërë.
“Ahengu Shkodran” si pjesë e shumë e rëndësishme e Trashëgimisë Kulturore Shqiptare mbetet gjithmonë gjallë, sepse ka bartësit e tij, ka vetë popullin e Shkodrës që e don dhe e trashëgon, jo vetëm nëpërmjet aktiviteteve të tilla, por edhe në jetën e tij të përditëshme, në dasma e gëzime, sepse siç thotë diku në një libër të tij i paharruari, studiuesi Isa Alibali “Në Shkodër të gjitë këndojnë”.