Nga RAMAZAN ÇEKA
Shkodra ka simbolin e vet, kalanë madhështore “Rozafë”. Kaq shumë është e lidhur historia e këtij qyteti me kalanë e tij, sa shpesh në kohët e lashta janë përdorë emërtimet “Qyteti –kala” ose “Kalaja-qytet”…Marin Barleti shprehet për kalanë duke cituar Sulltan Mehmetin të ketë thënë: -Çfarë çerdhe të mrekullushme paska ndërtuar shqiponja për të ruajtur zogjët e vet…Edit Duram do të fliste me superlativë për këtë qytet: ”Shkodra më mrekullon, ai është qyteti më i mirë në botë”…
Ky qytet ishte tempull i dijes dhe i qytetrimit prandaj vlerësohej shumë edhe nga të tjerët, e thenë ndryshe ishte si barometer matës për intelektin e të tjerëve p.sh.:
– Është i zgjuar filani thonin…
– Pse çfarë shkolle ka kryer?
– Jo nuk ka kryer ndonjë shkollë të madhe por ama ka jetuar për pak kohë në Shkodër…
Shkodranët janë punëtor, kërkues dhe novator në çdo fushë të jetës, më kot nuk ka dale shprehja,”po të jesh shkodran, të tana i ban”, por në veçanti arti dhe kultura kanë qënë ato ku Shkodra ka spikatur më së shumti, prandaj edhe i është vënë epiteti “djepi i kulturës”. Tashmë muzika shkodrane njihet mirë dhe pëlqehet nga çdokush. Këngët e bukura shkodrane epike dhe lirike, dhe në veçanti jaret e famëshme, ka kohë që kanë kaluar kufijtë e Shkodrës dhe janë bërë të njohura duke u interpretuar dhe studiuar në Shqipëri dhe në botë. Kënga popullore shkodrane, e thënë me plot gojën, është një kala tjetër për këtë qytet…Në themelet e kësaj kalaje ka gur tepër të çmuar si: Marije Kraja, Luçije Miloti, Naile Hoxha, File Gjeloshi, Ibrahim Tukiqi, Bik Mdoja, Xhovdet Hafizi, Shyqyri Alushi e tjerë e tjerë…
Por vitet kalojnë, brezat ndrrohen, dhe për këngën e bukur popullore shkodrane do të vinte një përfaqësues i ri, një gur tejet i çmuar, madje xhevahir, me një zë të ëmbël, të bukur, brilantë e magjepës: BUJAR QAMILI…

Ashtu si me Shkodrën zoti do të tregohej bujar edhe me Bujarin. Djalë i ri, i qeshur dhe i ndrojtur, por kurdoherë punëtor dhe kërkues ndaj vetës, do të rritej shpejt. Nga grupi i estradës së fabrikës së cigareve do të ngjitej në skenën e estradës profesioniste të teatrit “Migjeni “ në Shkodër, e pastaj do të fluturonte duke përfaqësuar qytetin e tij në festivale kombëtare e ndërkombëtare e duke i sjell atij çmime e trofe të shumta.
Bujari është pjesëmarrës në të gjitha festivalet e këngës popullore të organizuara nga R.T.SH.Ai është fitues i edicionit të parë tek maratona e këngës popullore…
Si fitues i diskut të artë dhe si fitues i folkuniversit do të nderohej në vitin 2006 nga presidenti i republikës me titullin “Këngëtar i urdhërit Naim frashëri i artë”…
Këngëtari më i dashur tek “100 këngët e shekullit” do të nderohej edhe nga qyteti i tij me titullin “Mirënjohja e qytetit”…
Nëpër vite ai do të ishte i pranishëm në shumë e shumë vende të botës, duke dhënë koncerte të suksesshme për shqiptarët. Ai edhe mund të jetonte përfundimisht në këto qytete moderne, por asnjeri nuk ia mbushi syrin si Shkodra tij e dashur.
Vlerësimi më i lartë për të do të vinte në vitin 2010, kur presidenti i republikës së Shqipërisë i jep titullin e lartë “Mjeshtër i madh”…
I madhi Bik Ndoja ka thëne: “Iku Bujari, fluturoj Bujari, s’kapet Bujari..”…
Kohë më parë në Tiranë në Pallatin e Kongreseve, në prani të 2500 spektatorëve, Bujar Qamili (Mjeshtër i madh) organizoi një koncert recital të titulluar “Aroma e këngëve popullore qytetare” si emblemë e muzikës shkodrane dhe më gjërë ku shkëlqeu me një interpretim perfekt dhe profesional.
Zëri dhe talenti i Bujarit kapërcejnë kufijtë e muzikës dhe kjo e bën atë një artist që transmeton mesazhe të kulturës përmes zërit dhe interpretimit të tij tek masa e gjërë e njerëzve.
Bujari është një talent që ka arritur majat dhe ka befasuar gjithë publikun shqiptar e më tej, duke dhënë mesazhin se kultura dhe arti janë pasuri e përbashkët kombëtare.
Kënga dhe Bujari janë një unitet me vlera të mëdha dhe të çmuara. Ata janë jo vetëm pasuri e popullit por edhe mesazh shpirtëror që ka prekë zemrat e kaq shumë njerëzve. Me jehonën kaq të madhe që ka marrë emri i tij si një Mjeshtër i madh, ai po tund skenat e botës.
Shkrimtari dhe dramaturgu i shquar profesor Fadil Kraja ka thënë: “Bujari është një ndër talentët e rritur në Teatrin “Migjeni”, në duart e mjeshtrave: Mark Kaftalli, Nazmi Lishi dhe Luan Barova. Është një nga figurat më të pastra si njeri dhe artist. Kam pasur kënaqësinë që kam bashkëpunuar me Bujarin”.
Si gjithmonë të pandarë me laureshen e Shqipëris së mesme e ftuar nga Bujari këngëtarja e madhe Artiola Toska me duetin e ri “Zemrën ta kam falë” me tekst të autorit të këtij shkrimi dhe muzikë të kompozitorit tashme të preferuar nga të gjitha Trevat Shqiptare mjeshtrit nga Tirana Edi Balili, salla u kthye në festë dhe mund të imagjinohej si një dasem e bukur ku publiku shpërtheu duke kënduar e kërcyer deri edhe kameramanët e TV.
Regjizori i TVSH. Osman Mula krahas emocioneve që dhuroi para publikut ndër të tjera tha: “Të jeshë afër Bujarit dhe mos të këndosh është e pamundur”. Dhe ashtu i emocionuar këndoi para publikut që kishte tejmbushur sallën.
Moderatorja, prezantuesja brilante, Silvana Braçe dhuroi disa herë emocione dhe surpriza për Bujarin dhe publikun.
Vlen për tu theksuar se në këtë recital kanë qenë të pranishëm shumë bashkëkombas nga Kosova si dhe simpatizantë të përhershëm nga Ulqini e Tuzi.
Bujari ka shumë miq, e miku për mikun kurrë nuk kursehet..
Ky koncert recital duke qenë se ishte i përmasave shumë të mëdha dhe ndër më të suksesshmit që ka realizuar Bujari deri tani, pa dyshim që ka një peshë jashtzakonisht të madhe. Në zgjedhjen e repertorit të tij për këngët që do të interpretoheshin në koncert, vend të veçantë ka djali i tij Artioni, profesor në degën e kitarës në shkollën e mesme kombëtare të muzikës “Prenk Jakova” i cili kontribuoi shumë duke qëndruar pranë dhe duke dhënë mendimin e tij si ndaj Bujarit ashtu edhe gjatë gjithë kohës duke bashkëpunuar me orkestruesit.
Në respekt për Bujarin, bëra këtë shkrim dhe bashkë me publikun shqiptar i urojmë atij që të vazhdojë këtë rrugë të bukur të artit. Ai po nderon vehten, qytetin tonë Shkodrën, duke vënë për çdo vit nga një gur të çmueshëm në gjerdanin e artë të këngës popullore Shkodrane.
Falenderojmë “Mjeshtrin e Madh” BUJAR QAMILI