Sofra shqiptare në bahçen e shtëpisë së biznesmenit Ndue Ftoni në Detroit, ku vetëm toka është amerikane, çdo gjë tjetër është thellësisht shqiptare.
Në komunitetin shqiptar të Michiganit dhe në gjithë Amerikën mike Ndue Ftoni tregon një zemërgjerësi për t’i sponsorizuar ngjarjet më të rëndësishme kulturore që kanë të bëjnë me Shqipërinë dhe gjithë Kombin Shqiptar. Dhe këto nuk kanë qenë të pakta, por herë pas here ka sponsorizuar shumë aktivitete kulturore e artistike për Komunitetin Shqiptar në Amerikë, gjithashtu ka ndihmuar dhe shumë familje në nevojë e raste të tjera, jo vetëm në punësim, por edhe me ndihma monetare e materiale.
Dashuria për Atdheun dhe vlerat historike, kulturore e artistike të Kombit e bëjnë këtë personalitet një ambasador të Shqipërisë në Amerikë.
Jemi këtu një natë para fillimit të Festivalit të katërt Shqiptaro-Amerikan në në Hart Plaza Detroit.
Qëllimi i këtij Festivali Shqiptar është promovimi i artit dhe kulturës shqiptare dhe ka si qëllim ruajtjen dhe trashëgimin e kulturës shqiptare në Amerikë.
Ky aktivitet i konceptuar si festival, për çdo vit sjell në zemër të Detroitit, ne Amfitetarin veror në Hart Plaza, këngëtarë dhe artistë shqiptarë nga Shqiperia e Kosova, Diaspora dhe trevat shqiptare, si dhe komunitetin e artistëve shqiptar në Miçigan dhe në shtete të tjera.
Unë isha atje së bashku me një ndër gazetarët dhe regjisorët më të shquar të televizioneve shqiptare z.Engjell Ndocaj dhe opratorin Arben Tafili, të ftuar nga një ndër biznesmenet që nuk ka shoq ndër të tjerë, si dashamirës dhe përçues i vlerave shqiptare në Amerikën e largët. Ishim pra të ftuar nga z.Ben Pllumaj, patrioti ynë shkodran, i njohur jo vetëm si një biznesmen i shquar, por edhe si organizator që ka qenë gjithmonë një shtëpi e madhe dhe bujare për të gjithë artistët e botës shqiptare.
Ishte pra pikërisht ky burrë i nderuar që mundësoi që televizioni publik shqiptar të jetë me kameren e tij prezent në një festë të madhe të Komunitetit Shqiptar në Amerikë, për ta përcjellë atë dhe për t’i treguar shqiptarëve kudo që jetojnë se ka ardhur dita për t’u prezantuar në botë si një komb i lashtë, i ri dhe gjithmonë i bashkuar.
Unë që po shkruaj këto mbresa së bashku me miqt e mi Engjell Ndocaj dhe Arben Tafili e falenderojmë nga zemra këtë patriot me zemër të madhe, i cili meriton me të vërtetë atë titull që Unioni Artistik i Kombit Shqiptar “Kalorës i Urdhërit të Skenderbeut” me president Azgan Haklaj “Mjeshtër i Madh” e nderoi me titullin “Nderi i Unionit” Për kontributin e tij të shquar si themelues dhe si president i Festivalit Shqiptaro-Amerikan në Detroit, për organizimin, realizimin dhe sponsorizimin e veprimtarive kulturore-artistike në Komunitetin Shqiptar në SHBA.
Me 13 qershor 2019 fluturuam mbi Atlantik për të përjetuar nga afër festën e madhe që do të organizohej për herë të katërt në atë qytet ku jetojnë e punojnë breza të tërë shqiptarësh, që kanë rreth 100 vjet me një komunitet të konsoliduar shpirtëror dhe kombëtar.
Për ta sjellë këtë atmosferë në Shqipëri, ky festival kishte fatin të kishte prezent një ndër personalitetet më të shquar të gazetarisë dokumentare televizive z.Eduart Ndocaj, ku dhe unë pata nderin të kontribuoj me hartimin e libretit të këtij festivali.
Organizatorët kishin projektuar në këtë shesh një dekor thellësisht kombëtar, por edhe miqësor e mirënjohës, ku valviteshin flamujt e dy popujve miq, Shqiptaro-Amerikan, por dhe ku nga një postër i madh gjigand jepte bekimin nëna e madhe e njerëzimit, Shenjëtorja Shqiptare Nënë Tereza.
Këto netë magjike nuk do të ishin të tilla sikur në tribunën gjigande të mos ngjiteshin përfaqësues të shquar të artit e të kulturës shqiptare.
Mesazhi i deklamuar në këtë festë nga organizatori Ben Pllumaj, ishte dhe mesazhi që bashkon shqiptarët kudo janë.
Ne si të pranishëm e pamë më së miri se ky mesazh ishte edhe shprehje e atij programi që shqiptarët e formulojnë dhe zbatojnë si asnjë komb tjetër në botë, sepse atje në atë komunitet pamë atë cilësi të jashtëzakonshme të kombit shqiptar, bashkëpunimin në mes të Kishës Katolike Shqiptare, të Kishës Ortodokse Shqiptare, Qendrës Islamike Shqiptare, Qendrës së Bektashive Shqiptar, televizioneve shqiptare, si dhe organizatave, shoqatave dhe bizneseve, që të gjitha shqiptare.
Festivali, ose më saktë kjo festë e madhe i kishte bashkuar të gjithë.