KUSHTRIMI I TË PARËVE
Kur marr rrugën nëpër botë
N’krah’ të shqipes fluturoj
Ndër miliona njer’z në tokë
Dua vllaznit t’i takoj.
Si t’i njoh vallë, si t’i njoh
Si t’ia bëj që t’i takoj
Nëpër turmat që unë shoh
Të gjithë më duken njësoj
Në liman e aeroport
Në metro, në rrug’ e bar
Mjafton një buzëqeshje e ngroht’
Që ta ndjej se asht’ shqiptar
Më mbush kanga me gëzim
Si shqiponj’ kur fluturoj
Një copë qiell nga vendi im
Gjithë shqiptarëve t’u dhuroj
Nuk kan’ yll as hanë në ball’
Kryq a shenj’ që i dallon
Por kan’ thell’ një drit’ të gjall’
Që prej syve iu buron
Zgjohet n’shpirt kushtrimi i t’parve
Gjaku gjakun e thërret
Nëpër zemrat e shqiptarve
Mijëra vjet si amanet
Shqiptarët ngado që shkojnë
N’zemër kan’ dëshirë e shpresë
N’bebe të synit rrezatojn’
Krenari, urti e besë.
Ramazan Çeka