Nga RAMAZAN ÇEKA

Nuk ishte rastësia ajo që një ditë e solli të njihesha nga afër me z.Gani Vila, një patriot i vertetë dhe veprimtar i shquar i vlerave tona kombëtare, por ishte vlerësimi që Qëndra e Artit dhe Kulturës Shqiptare me Drejtor të Përgjithshëm Dr.Minella Kureta “Mjeshtër i Madh”, që më mundësoi takimin me këtë personalitet të medias dhe kulturës shqiptare në Amerikën e largët. Kjo qendër e dokoroi z. Gani Vila me titullin e lartë “MISIONAR I KOMBIT SHQIPTAR”, për kontributin e tij të çmuar e shumëdimensional në Komunitetin e Shqiptarëve të Amerikës. Një patriot i vertetë dhe veprimtar i shquar i pasqyrimit të vlerave kombëtare shqiptare.

Një sensibilues dhe propagandues i virtyteve tradicionale dhe mbështetës i apasionuar i shpirtit patriotik, humanitar e artistik të shqiptarëve, duke krijuar edhe Televizionin “ALBTVUSA”, ku për 20 vite është shquar për njohjen, rritjen dhe forcimin e vlerave kombëtare, nëpërmjet programeve dhe veprimtarive historike, kulturore e artistike, duke u bërë mbështetës, për të mbajtur të gjallë dhe transmetuar trashëgiminë shqiptare, historike e bashkëkohore tek brezat më të ri.

Unë isha prezent në ambientet e këtij televizioni dhe ndoqa me vemendje se sa me përkushtim dhe dashuri punohej në këtë televizion për të realizuar emisione kulturore e artistike, rubrika dhe intervista të ndryshme me Komunitetin Shqiptar të Amerikës, si dhe me artistë e studiues të fushave të ndryshme, jo vetëm në planin e dialogut apo bashkëbisedimit, por edhe në planet e tjera që lidhen me jetën e këtij komuniteti dhe të mbarë Botës Shqiptare.

Të gjithë pjestarët e këtij stafi të mrekullueshëm ishin me një nivel të lartë profesional, por ajo që spikaste më shumë ishte drejtuesi, por  edhe ideuesi  dhe poseduesi i këtij televizioni, z.Gani Vila.

Në ambjentet e këtij televizioni u njoha edhe me të, dhe në një bisedë më të gjërë, ai më tregoi se si i kishte lindur ideja që të pasqyronte në “ALBTVUSA” personazhe të muzikës, artit e kulturës nga të gjitha trojet ku banojnë shqiptarë dhe që vizitojnë Amerikën, duke e bërë këtë television dritare kulture, që do të shpërndante dritë e informacion në të gjitha familjet e komunitetit shqiptaro-amerikan.

Me aftësitë e tia të çmuara, me dashurinë dhe vullnetin e jashtzakonshëm, që ka ai për profesionin, me durim dhe korrektësi, ka përballuar çdo vështirësi financiare dhe profesionale. Në studio dhe terren, ka arritur të realizojë çdo objektiv dhe projekt artistik.

Ai gjithë kohës është në lëvizje i përkushtuar ndaj punës, duke luajtur një rol të rëndësishëm si pasqyrues i elitës që kontribuon kryesisht në art dhe kulturë.

Vetë emërtimi i këtij televizioni “ALBTVUSA” është shumë domethënës dhe tregon edhe hapsirën që ky shtet i madh, u lejon qytetarëve të tij dhe komuniteteve të ndryshme etnike për të pasqyruar vlerat e tyre kombëtare. Ekranin e kansideron si të shenjtë. Para ekranit ai gjithmonë është i vëmendshëm të ndjekë çdo detaj.

Ganiu është një nga ato intelektual krijues dhe organizator që i ka dhënë këtij televizioni vlera jo vetëm artistike, por edhe një lloj “lirizmi”, që siç duket lidhet edhe me karakterin e tij, duke u bërë kështu ideuesi dhe realizuesi i një formati televiziv me një emërtim shumë domethënës “Thank You” dhe duke e kthyer programin në një cikël emisionesh shumë të dashur dhe të ndjekur në ekranin e vogël në këtë televizion të madh.

Mënyra tij e çiltër e komunikimit dhe sinqeriteti në raport me kameren, me të ftuarit dhe teleshikuesin, e kanë bërë Ganiun tepër të dashur me publikun e Komunitetit Shqiptar në Amerikë. Këto tipare e cilësi ai i ruan edhe përtej ekranit, në jetën e tij të përditshme me një prezencë fisnike dhe dinjitoze.

Gani Vila ka një meritë të veçantë në pasqyrimin dhe evidentimin e vlerave në marrëdhënie me këngëtarë të shquar, kompozitorë të njohur, poetë, aktorë, studiues dhe shkrimtarë të famshëm, për të lartësuar punën e tyre shumëvjeçare fisnike, atdhetare dhe të suksesshme, si rezultat i profesionalizmit, përkushtimit të tij dhe aftësive të jashtëzakonshme që ai ka që t’i menaxhojë dhe t’i përjetësojë. Një zgjedhje e hershme kjo, ndoshta dhe e trashëguar, pasi që në fëmijërinë e tij ka pasur kontakte me ikona të skenës dhe ekranit dhe ka ëndërruar që një ditë t’i bëjë ata dhe veprat e tyre, personazhe sa më të njohur për publikun.

Mjeti më i rëndësishëm në profesionin e tij është aftësia për të improvizuar dhe menaxhuar situata në mënyrën më perfekte, duke punuar me ritëm maksimalisht të shpejtë dhe njëkohësisht të saktë.

Ganiu në profesionin e tij ndjehet i vlerësuar për sinqeritetin dhe mirëkuptimin që tregojnë personazhet e ftuar, në komunikimin  me të gjatë intervistave.

Kjo ndihet në takimet e tij me këngëtarët, veçanërisht me emrat e mëdhenj, kur diskutohet për këngën popullore qytetare, këngën folklorike, këngët për flamurin, Atdheun, heroizmin, patriotizmin, kurbetin, çështjen kombëtare, Kosovën, Çamërinë etj. Po ashtu edhe për muzikën dhe për kompozitorë me vlera shumë të mëdha kombëtare dhe artistike, të cilët kanë lënë gjurmë në muzikën shqiptare, prandaj ai meriton mirënjohje, respekt dhe falenderim si një artist i vërtetë.

Forca sugjestive artistike bëri që ky patriot intelektual të fitojë popullaritet dhe u bë shumë i dashur për gjithë Komunitetin Shqiptar në SHBA. Ai me emisionin e tij televiziv të titulluar “Thank You” po përçon vlera të vyera si një profesionist i kompletuar dhe si drejtues i nderuar, lëvrues i shumë zhanreve televizive, sidomos në fushën kulturore-artistike.

Ganiu ka realizuar një numër të konsiderueshëm dokumentarësh televiziv, me titullin “Thank You” dhe për këtë arritje ai meriton një “Thank You” të madhe dhe në shqip një “Faleminderit” të madhe.

Edhe unë pata fatin të jem i pranishëm në emisionin “Thank You” të cilin ai ia kushton personazheve të njohur dhe të nderuar të Shqipërisë, ku mund të përmend njërin prej tyre: “Mjeshtrin e Madh” dramaturgun e famshëm shkodran prof. Fadil Krajen.

Ganiu ndjehej i previligjuar që kishte pasur në këtë emision shkrimtarin e madh,  një zë i pazevendësueshëm të dramaturgjisë shqiptare, por njëkohësisht dhe një respekt të veçantë ai shpalosi gjatë bisedës që zhvilloi edhe me mua në studio.

U ndala pak më gjatë tek ky angazhim, sepse përpara takimit me mikun tim Gani Vila, kuptova se ai kishte marrë informacion të gjërë rreth krijimtarisë sime si poet dhe publicist.

Ishte një nderë i madh për mua që pata rastin të jem para tij dhe para kamrave të këtij televizioni dhe nëpërmjet tyre para publikut teleshikues të Komunitetit Shqiptar në Amerikë. Për këtë e falenderoj nga zemra z.Gani Vila për kontributin që ai jep në njohjen dhe transmetimin e vlerave tona kombëtare.

Thank You, Gani Vila.

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here