Mihlet Bahçja, valiu shkodran e lordi anglez

0
483

Fatmira Nikolli – Mihlet Baçja, lulishtja e parë popullore, daton në vitin 1868. Muzeu Kombëtar i Fotografisë Marubi e vë në dukje imazhin e saj, përmes një titulli krejt të thjeshtë anipse ndërtimi i saj shenjon në mënyrë të pakthyeshme qytetin. “Maji, muaji i luleve”. Ndërsa sjell në vëmendje pjesë të ndryshme të një prej arkivave më të pasura në Shqipëri, anipse duket në mënyrë të shkujdesur Muzeu Marubi hedh dritë mbi pika të qytetit, ngjarje të tij, personazhe të njohur të kohës, figura artistike a historike, që dikur, pikëtakoheshin në ‘Marub’ te dhoma e tij e errët.

Mihlet Bahçja, u themelua nga valiu i Shkodrës, i cili zbriti nga kalaja për t’ju afruar qendrës së re administrative të qytetit duke ndërtuar për këtë, një hapësirë me karakter multifunksional. “Këtu u vendos më vonë, në 1929-ën edhe biblioteka e parë publike e qytetit. Fotografinë e saj të parë e gjejmë në arkivën e Pietro Marubbi-t, në vitin 1875”, duket muzeu duke shënuar njëherit krejt rastësisht edhe ndërrimin e asaj që ishte edhe “de jure” me valiun në krye qendra e rëndësishme e qytetit- nga kalaja lart në kodër ku rrinte prijësi, në një zonë tjetër të banuar dhe duke e zhvendosur pikën e rëndesës së qytetit, çka prej kohësh përbënte edhe jetën e parisë.
Po në kontekstin e atij që do të ishte “qyteti i ri” është edhe Kulla e Inglizit. Një ndërtesë e shek. XIX, e rikonstruktuar nga lordi anglez Padget kur u vendos në Shkodër.

 

Brendësia u përshtat në përngjasim të kishave e të kapelave protestane. Kulla e Sahatit do të shërbente për të rrahur kambanat në orarin e liturgjisë, por pas ndërhyrjes së autoriteteve osmane, ndërtesa u përdor vetëm si banesë.

Në 1949 aty u vendos muzeu i qytetit, i ashtuquajturi Muze Popullor. Imazhi i Kel Marubit na sjell ndërtesën në tërësinë e ambienteve të saj ku spikat hapësira e banimit, kulla e sahatit, e gjitha e rrethuar nga lule e pemë të ndryshme, karakteristike kjo për oborret shkodrane.
Arratisja nga Mali i Zi për në Shkodër i një kundërshtari politik të Knjaz Nikollës, bëri që me ndërhyrjen e Beroviçit (atëherë anëtar i këshillit administrativ) tek valiu i qytetit, shtëpia t’i jepej malazezit, të cilit, po me ndërhyrjen e valiut, i erdhi falja nga vetë krajli i Malit të Zi. Pas rikthimit në atdhe të disidentit Mercariç, gjysma e shtëpisë së Domnorëve iu shit lordit Paget, ndërsa pjesa tjetër iu fal, nga qeveria, malazezit Bozho Mikashiq. Qeveria turke ia bëri këtë dhuratë malazezit për motive politike, ngase vëllai i Bozhos, Todor Kadiqi kishte vrarë në Kotorr knjazin Danilo Petroviç më 1860. Nga ana e tij, Bozho ia ktheu nderën turqve duke udhëhequr ushtrinë e tyre në luftën e Tivarit më 1876, ku dhe u vra e u soll me nderime në Shkodër. Pas vdekjes së Bozhos, e gjithë shtëpia iu shit anglezit Padget, i cili menjëherë planifikoi rindërtimin e saj në stilin e një kështjelle mesjetare – aspak bashkëkohore. Vërtet ai e kishte blerë dhe rindërtuar këtë kështjellë të vogël vetëm për të dimëruar ngase i pëlqente gjuetia, apo tjetër mision fshihej pas pasionit të tij të çmendur për relike të vjetra, të cilat ua blinte shkodranëve për “pare buke”? lordi Padget kishte marrë nismën për themelimin e një kishe anglikane në qytetin tonë. Mbasi ndërtoi shtëpinë dhe e bëri të përshtatshme për faltore, nisi të propagandojë për të tërhequr besnikë për fenë e re. Në kohën e Luftës së Parë Botërore, atëherë kur serbët po ndiqeshin nga gjermanët dhe një pjesë e asaj ushtrie ra, erdhi Padgeti në Shkodër bashkë me gjeneralin Filips, ish-guvernatorin e Shkodrës në periudhën e Komisionit Ndërkombëtar në vitin 1913. Thuhet se shtëpinë e tij te sahati lordi ia dhuroi një oficeri anglez të regjimit të Zogut.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here