Nga RAMAZAN ÇEKA
Rruga artistike e “Mjeshtrit të Madh” Frederik Ndoci
Një ndër figurat më të shquara të muzikës shqiptare është edhe artisti shkodran Frederik Ndoci, i cili edhe sot e kësaj dite është vital dhe i pranishëm në jetën artistike në Shqipëri, kryesisht në kryeqytet, atje ku edhe banon.
Frederik Ndoci i njohur në rrethin shoqëror dhe familjar, ka lindur në Shkodër, ku ka edhe fillimet e tia si interpretues dhe muzikant.
Në qytetin e Shkodrës ka pasur dy institucione shumë të rëndësishme, ku masivisht merrnin pjesë fëmijë dhe të rinj, të cilët aty edhe zbuloheshin si talente në fusha të ndryshme.
Shtëpia e Pionierit dhe Klubi i Rinisë ishin dy vatra, ku fëmijët shkodranë jo vetëm kalonin kohën e lirë, por edhe manifestonin prirjet e tyre artistike, muzikore dhe sportive. Në këto dy vatra janë rritur dhe përpunuar talente të fuqishme, të cilët më vonë do të bënin emër në skenat dhe fushat sportive të të gjithë republikës.
Këtu u rrit edhe talenti i ardhshëm Frederik Ndoci, i cili ishte në klasën e gjashtë, kur merrte pjesë në Festivalin Kombëtar të Këngës për Fatosa e Pionierë me këngën “Vëllai aksionist” i shoqëruar nga grupi i valleve të Shtëpisë së Kulturës e duke merituar edhe çmimin e dytë të këtij festivali.
Kështu pra, që në fëmijëri, ai merr pjesë në të gjitha festivalet lokale e kombëtare si solist që vlerësohet me çmime.
Në vitin 1966 interpreton këngën “Si gjeologët” dhe nderohet me çmimin e tretë dhe një vit më vonë fiton përsëri çmimin e tretë me këngën “Rrugëve të fshatit” (Hyjo kalë vrapo) të Zydi Barbullushit. Në vitin 1972 fiton çmimin e parë me këngën “Beni, Mira dhe reçeli” të Xhavit Ujkanit e Paulin Selimit, një duet i mrekullueshëm me këngëtaren Myfarete Laze.
Përsëri një vit më vonë fiton çmimin e dytë me këngën “Tornitori” të Nexhmedin Dokos.
I evidentuam pak me detaje këto pjesëmarrje dhe çmime, sepse Rriku gjatë periudhës së shkollës kishte një gamë më të gjërë aktivitetesh. Ai mori pjesë rregullisht me grupet artistike të Shtëpisë së Pionierit dhe Klubit të Rinisë, duke dhënë shfaqje artistike e duke kënduar me sukses në skenat e Shkodrës.
Ndërkohë Frederik Ndoci ndjek shkollën e Mesme Aristike “Prekë Jakova” në Shkodër, ku në vizin 1977 diplomohet në instrumentin obojë, por Rriku zotëron edhe instrumenta të tjerë si akordeon, piano e kitarrë.
Pas përfundimit të kësaj shkolle caktohet për të kryer stazhin në Kombinatin e Drurit, si dhe në Ndërmarrjen e Zooteknikës, ku jep kontribut në ngritjen e grupit artistik të saj, me të cilin fiton edhe flamurin e festivalit të grupeve artistike të ndërmarrjeve të qytetit të Shkodrës.
Frederik Ndoci nuk mund të ndalonte këtu. Ai vazhdon studimet në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë, (në atë kohë Instituti i Arteve), ku shfaq një anë tjetër të talentit të tij, atë të arktrimit, ku dhe diplomohet, duke u bërë kështu një figurë mjaft e njohur dhe e dashur në skenën e artit dhe kinematografisë.
Ndërkohë që vazhdon studimet, ai angazhohet në Tiranë në Teatrin e Operas dhe Baletit me grupin “Na bashkoi kënga popullore”, si solist dhe instrumentist. Është pikërisht kjo periudhë kur interpretimet e tia do të mbesin të pashlyeshme, si dueti me Irma Libohoven tek kënga “Në fush”, me Valdete Hoxhën, “Korrim grurin”, me Zeliha Sinen tek “Potpuri dibrane” etj. dhe njëkohësisht fiton dy çmime në “Dekadat e Majit”:
Talenti i tij në fushën e dramaturgjisë, ku ai studionte, nuk kalon pa u vënë re, dhe kështu, në vitin 1981 ai fiton kinoprovën si aktor në filmin “Në çdo stinë” të regjisorit Viktor Gjoka (në rolin e kitaristit). Ky është hapi i parë i tij në skenë, sepse më pas ai do të marrë pjesë edhe në filma të tjerë, duke mbetur një personazh shumë i dashur për ekranin shqiptar.
Kështu mund të përmendim edhe shumë filma të tjerë, realizime të shkëlqyera të kinematografisë shqiptare si “Fundi i një gjakmarrje”, “Dasma e shtyrë”, “Kur hapen dyert e jetës”, “Flutura në kabinën time”, si dhe Andi Bega (protagonist) në filmin “Edhe kështu edhe ashtu”. Gërshetimi i lojës si aktor me talentin e tij si këngëtar dhe muzikant ishte natyrisht edhe çelësi i suksesit të tij.
Por jo çdo gjë, si i thonë fjalës, për Rrikun “shkon si në vaj”. Ashtu si dhe shumë artistë të tjerë edhe Frederik Ndoci kalon një periudhë të vështirë që lidhet me ideologjinë e sistemit komunist të kohës. Është një periudhë shumë e vështirë për të, pasi me motive krejtësisht të pakuptimta politike dënohet krijimtaria e tij dhe për një periudhë ai punon për disa muaj në Burrel, por më pas transferohet në Estadën Profesioniste të Shkodrës, ku talenti dhe aftësitë e tij shpërthejnë duke marrë vlerësime pozitive nga publiku dhe kritika e kohës.
Qëllimi i këtij shkrimi nuk është të ndalemi në këto anë të errëta që ndikuan jo pak në karrierën e tij, por të evidentojmë çdo gjë të bukur e të mrekullueshme që ky artist i madh shqiptar i ka sjellë kulturës sonë në skenat shqiptare dhe botërore.
Do të mbesin të paharrueshme interpretimet brilante të këngëve “Sytë e tu”, “Pranvera do lule shumë”, “Pranvera me një lule s’vjen” dhe “Toka e diellit” që i përkasin fundit të viteve ’80.
Kështu në Festivalin e 28-të në RTSH në vitin 1989 fiton çmimin e parë bashkë me këngëtaren Manjola Nallbani dhe motrën e tij Juli Ndoci, me një performancë të paparë deri në atë kohë, që ishte në një farë mënyre edhe një prelud për ndryshimet e mëdha që po vinin, e të cilat ky artist i madh në një farë mënyre i ndjente.
Kulmin e tij e arrin në vitin 2006 në Festivalin e 45-të të këngës në RTSH, ku përsëri fiton çmimin e parë me këngën “Balada e gurit” nën shoqërimin e zërit melodioz të këngëtares Aida Cacaj (Ndoci) me tekst të Pandi Laços dhe kompozuar e orkestruar nga Ardian Hila. Kjo këngë do të përfaqësonte Shqipërinë në Festivalin Erovizion Song 2007 në Helsinki në Finlandë.
Jeta e tij artistike dhe familjare, pas viteve ’90 vazhdon në Itali, ku pas disa muajve përgatitjeje, i paraqitet publikut në një koncert me grupin e studentëve, të cilëve u mësonte kitarrën. Suksesi ishte i padiskutueshëm dhe natyrisht vijnë edhe koncertet e tjera, të cilat do t’i organizonte para publikut vendas, duke u bërë njëkohësisht edhe pjesë e grupeve të ndryshme si “Levose Rosse” (Piacenza), “La pagina d’album” (Bergamo) me të cilët regjistron edhe kasetën dhe CD-ën e parë: “Di tutto di piu”.
Angazhimet e tij dhe sukseset që arriti bënë që shumë shpejt të paraqitej para publikut me albumin e dytë “Sono Gitano”, këngët e së cilit qëndruan për disa kohë si sigla të programit të TV “Canta Italia”.
Frederik Ndoci ndërkohë jeton dhe punon retalivisht gjatë në Itali, ku deputon me mjaft sukses në shumë skena, diskoteka, festa në sheshet e provincës së Piaçensës, por edhe në skenat e Veriut dhe të qendrës së Italisë. Ai ka dhënë mbi 26 koncerte në muaj në Zvicërr (Lugano), në Francë (Nicë), në Montekarlo me një numër rekord rreth 300 koncerte në vit.
Në fund të viteve ’90, Frederik Ndoci vendosë të shkoi në Amerikë, ku realizon albumin e suksesshëm “Frederik & Friends”, ndërsa në vitin 2005, në New York, ku jeton me këngëtaren Aida Caci, realizon në studion diskografike “Blue November Records” albumin “Canterina”.
Jehona dhe fama e tij kishte kohë që kishte kapërcyer kufijtë e Shqipërisë, fillimisht në Itali dhe në vende të tjera europiane, për të arritur në SHBA, ku talenti dhe aftësitë e tij gjetën muzën e krijimit dhe të interpretimit në koncerte jo vetëm për shqiptarët, por edhe për vetë amerikanët, ndër të cilët kritikë, muzikologë e producentë e listuan atë ndër zërat më të famshëm amerikanë, duke e radhitur përkrah artistëve me famë botërore, si Xheims Brand, Andrea Boçeli dhe Maikëll Bonton.
Është viti 2007 kur ai nominohet me plot 17 tituj të të gjitha kategorive, i cilësuar si zëri më i mirë pop-men me plot 7 këngë. Ky është edhe viti kur ai, siç e thamë më lart, përfaqësoi Shqipërinë në “Euro Song”.
Sukseset e kësaj periudhe janë të shumta dhe përmasat e këtij shkrimi nuk na lejojnë t’i përmendim të gjitha. Por ama ai, në këtë periudhë e më pas, është aktiv jo vetëm atje, por edhe në skenat shqiptare.
Vlerësimet dhe çmimet për artistin Frederik Ndoci, sot “Mjeshtër i Madh vijnë nga institucione, shoqata dhe organizata të një shtrirjeje globale, që nga SHBA e deri në Tokion e largët.
Puna e tij e palodhur mbi 40-vjeçare e bën atë një artist, një mjeshtër të vërtetë të muzikës, të këngës e interpretimit dhe, që nga qershori 2017, e radhit me mjeshtrat e tjerë shqiptarë, duke merituar edhe ai titullin e lartë “Mjeshtër i Madh” të akorduar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë Bujar Nishani.
Ky titull, si dhe shumë të tjerë tituj nderi e bëjnë Frederik Ndocin të vazhdojë ta ndjejë veten si një djalosh i këngës dhe nuk është aspak surprizë kur e sheh në skenë, ashtu vital e rinor, e çuditërisht me një zë e interpretim brilant, një artist që nuk di të plaket.
Kjo nuk është një çudi, aq më shumë për mua që po shkruaj për të, pasi Frederik Ndoci është rritur në djepin shkodran, është përkundur me ninullat e nënës shkodrane, është zhgarravitur ndër rrugicat e qytetit të lindjes dhe është ngritur prej tij, si një baba i mirë që i tregon të birit rrugën që duhet të ndjekë.
Ne nuk i morëm ndonjë intervistë të mirëfilltë Rrikut, por morëm vesh se ai së bashku me bashkëqytetarin e tij, humoristin dhe gazetarin shkodran Ismet Drishti po përgatitnin spektaklin “Tefa Show” nën kujdesin dhe produksionin e 24 NEWS TV, një spektakël që askuj më shumë nuk i shkon përshtat, se sa këtyre dy “djemve” që kërkojnë të tregojnë se Tefa nuk është përfaqësues i artit pamor, si karikaturist, por përfaqësues i humorit të mirëfillt opozitar. “sade” shkodran.
Një tjetër anë e veçantë e këtij artisti është edhe përgatitja dhe botimi i një përmbledhje me poezi me titull (përkohësisht provizor) “Zërat e shpirtit” me rreth 100 poezi të shkruara në emigrimin e tij të gjatë nëpër botë.
Frederik Ndoci plotëson kështu profilin e tij edhe me penën e poetit, duke ndërthurur me krijimtarinë e tij poetike tematika të ndryshme sociale e politike dhe duke hedhur në to mendimin dhe reflektimin që e ka shoqëruar në gjithë karrierën e tij artistike, por edhe në jetën e tij private.
Nuk është në traditën e shkrimeve të këtij lloji, por të ulesh e të shkruash diçka për një artist kaq të madh, të vijnë vetvetiu edhe fjalë falenderimi, jo vetëm nga pena ime, por edhe nga të gjithë bashkëqytetarët e mi dhe publiku artëdashës mbarëshqiptar.