PESËDHJETË VJET MË PARË Drama “Fisheku në pajë” e shkrimtarit Fadil Kraja hyn në fondin e artë të dramaturgjisë shqiptare

0
729

Pesëdhjetë vjet më parë, më 29 korrik 1967 Trupa e Teatrit “Migjeni” në Shkodër ngjitet në skenë me premieren e dramës “Fisheku në pajë” të shkrimtarit që më vonë do të bëhej edhe një ndër dramaturgët më të shquar të Shqipërisë prof. Fadil Kraja.

Shkak për t’ju rikthyer në retrospektivë kësaj ngjarje të shënuar të dramaturgjisë shqiptare, u bë një fletëpalosje, që pas 50 vitesh ia sollën në dorë nga Tirana dramaturgut të madh, autorit të kësaj drame. Kjo fletëpalosje e ilustruar ishte ruajtur me kujdes nga familja e “Artistit të Popullit” Tano Banushi.

Unë isha prezent në tavolinë me profesorin e nderuar kur ia dha e bija në dorë dhe e pashë që me sa përmallim e nostalgji, duke iu dridhur lehtë duart, filloi ta shfletonte, kështu që vendosa të shkruaj diçka për ta kujtuar korrikun e 50 viteve më parë.

Drama “Fisheku në pajë”, një ndër kryeveprat e këtij dramaturgu të madh erdhi në skenë në një kohë kur Shqipëria kishte nevojë më shumë se kurrë të emancipohej për të dalë nga prapambetja e gjatë, në mënyrë të veçantë në zonat e thella malore, ku ndikimet e kanunit dhe zakoneve ishin më të mëdhaja.

Edhe vetë titulli i dramës na çon tek njëri prej këtyre zakoneve, në ato kohë të errëta, kur vajzës që martohej, në pajë i vihej edhe një fishek, të cilin kishte të drejtë ta përdorte bashkëshorti i saj, nëqoftëse shihte një faj ose gabim të së shoqes dhe vendoste për jeten e saj me vetëgjygjësi, duke përdorur fishekun që kishte ardhur në pajen e nuses.

Drama bëri bujë të madhe. Niveli i saj i lartë ideo-artistik, loja e përkryer e aktorëve të Trupës së Teatrit “Migjeni”, niveli i lartë profesional i regjisorit, atëherë të sapodiplomuar  e që më vonë do të bëhej një ndër regjisorët më të famshëm të Shqipërisë, Serafin Fanko. Të gjithë këto komponentë u bashkuan aq harmonishëm, duke e kthyer këtë shfaqje që në premierën e saj, në një ngjarje të shënuar dhe duke i siguruar asaj suksesin e padiskutueshëm.

Ngjarje të tilla të mëdha, siç janë premierat e teatrit të dramës dhe të estradës të shfaqura në Teatrin “Migjeni”, në atë kohë bëheshin pjesë e jetës shoqërore të qytetit të Shkodrës. Shkodranët, ashtu siç diskutonin me pasion në punë, në familje dhe ambiente të ndryshme për një ndeshje futbolli të ekipit të zemrës “Vllaznia”, po me kaq pasion diskutonin edhe për një dramë, për një estradë, për një këngë ose për një film.

Drama “Fisheku në pajë” hyri përnjëherë në jetën e tyre dhe qytetarët e Shkodrës u bënë kritikët e parë që do t’i jepnin vendin që meriton kësaj vepre të madhe të shkrimtarit të tyre, birit të tyre Fadil Kraja.

Këtë e tregon më së miri edhe numri i pafund i shfaqjeve, i cili në vitin 1973 arriti në 250 herë e disa vite më vonë Trupa e Teatrit “Migjeni” realizoi edhe shfaqjen e 500-të, duke thyer kështu një rekord që nuk kishte ndodhur më parë, por duke thyer njëkohësisht rekord edhe në gjeografinë e shfaqjeve të saj që numëron 22 rrethe, në qytete, por edhe në aksionet e rinisë të asaj kohe.

Njëqind shfaqjet e para rolin e Gjelosh Nikës e luajti i paharruari Preng Lëkunda “Artist i Merituar”, i cili fatkeqsisht u nda nga jeta gjatë një shfaqjeje në skenën e kino-teatrit në H/C Vau-Dejës. Më pas këtë rol do ta luante me shumë sukses një aktor tjetër shumë i shquar në teatër e kinematografi “Artisti i Merituar” Ndrekë Prela.

Në një bisedë me prof. Fadil Krajen, ai kujton me nostalgji e pse jo edhe me përmallim edhe pjestarët e Trupës së Teatrit “Migjeni” të asaj kohe, duke filluar nga Ndrekë Prela e Vitore Nino, Bep Shiroka e Vjoleta Sekuj, Tinka Kurti e Elez Kadria, Pistol Soja e Ramiz Rama, Donika Frania e Paulin Lcaj, Rikard Ljarja, Viktor Bruçeti, Ymer Bala e shumë e shumë të tjerë, pa harruar skenografët e shquar Bep Shiroka e Lec Fishta, për të vazhduar me “prapavijën” e realizimit teknik me rrobaqepës, grimierë, marangozë e realizues të ndriçimit dhe efekteve zanore.

Siç thamë më lart, me 25 qershor 1973 në Teatrin “Migjeni” u shfaq drama “Fisheku në pajë” për të 250-ën herë dhe u organizua si një shfaqje jubilare, ku morën pjesë përveç spektatorëve shkodranë edhe të ftuar nga të gjitha trupat profesioniste të Shqipërisë.

Kësaj periudhe i përket edhe kjo fletëpalosje që u botua dhe u shpërnda në atë kohë.

Duke shfletuar këtë dokument, bie në sy kujdesi që ka treguar “Artisti i Popullit” Tano Banushi, duke mbledhur firmat e të gjithë pjesëmarrësve, nga autori e regjisori e deri tek inspektorët e skenës, firma që në një farë mënyre i bëjnë këta artistë të shquar të mos harrohen kurrë, i bëjnë në një farë mënyre pronarë të kësaj vepre, duke nënshkruar një akt “noterial” historie.

Dramaturgu Fadil Kraja “Mjeshtër i Madh”, ka një karrierë të gjatë artistike, ku në mënyrë të veçantë spikat bashkëpunimi me Trupen e Teatrit “Migjeni”, duke e siguruar kështu suksesin e ndërsjelltë, sukses që do të vazhdonte në dy drama të tjera të fuqishme siç janë: “Gjaku i Arbrit” dhe “Baca i Gjetajve” për të ardhur deri tek ditët tona kur ky prodhimtar i madh nuk rresht së krijuari dhe bashkëpunuari me teatrin e tij të zemrës, duke u kthyer kështu në një figurë emblematike që të kujton Shekspirin e madh dhe teatrin e tij.

Kujtime të tilla, retrospektiva kaq të këndshme, duket sikur rinojnë dramaturgun tonë të madh, tanimë në moshë të thyer, por të qartë e plot plane e vizione që të mrekullojnë me mënyrën se si lidhen me ngjarje dhe probleme bashkëkohore të shoqërisë sonë.

Nuk është statistikë apo një ngjarje sa për t’u shënuar, por një ngjarje e rëndësishme që i përket vitit të largët 1974, vit kur nis punën për herë të parë Teatri Popullor i Gjakovës, i cili natën e parë të përurimit shfaq dramen “Fisheku në pajë” me regjisor të mirënjohurin Muharrem Qena. Kjo trupë do të bëjë më vonë një turne të suksesshëm në tërë Shqipërinë.

Pas shfaqjes së kësaj trupe në Shkodër, aty ku kishte lindur, u shtrua një darkë madhështore, ku ndoshta për herë të parë u bë një “binjakëzim” që pavarësisht kufizimeve politike dhe ndërshtetërore do të vazhdonte edhe më gjatë me “Bacen e Gjetajve” e “Gjakun e Arbrit”.

Drama “Fisheku në pajë” është vënë në skenë nga dhjetra trupa profesioniste e amatore në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi dhe Diasporë, duke treguar kështu se kjo vepër është një ndër më të arriturat në gjithë fondin e dramaturgjisë shqiptare.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here