PAULIN PREKA “MJESHTËR I MADH” I HUMORIT SHQIPTAR

0
658

Nga RAMAZAN ÇEKA

Ky është aktori i madh shkodran, krijuesi dhe interpretuesi i qindra roleve, dramatike dhe humoristike, të cilit publiku shkodran para tre vitesh në skenën e Teatrit “Migjeni” i dha titullin “Mjeshtër i Madh”, duke treguar se për një artist kaq popullor nuk është nevoja për ceremoni të mëdha, por në qershorin e këtij viti dëshira e madhe e këtij publiku u bë realitet, sepse Institucioni i Presidentit të Republikës së Shqipërisë e lauroj me këtë titull, duke e radhitur një ndër personalitetet më të shquar të artit dhe kulturës shqiptare.

Nëqoftëse do të ekzistonte një galeri, jo me piktura e skulptura, por në mënyrë butaforike, ku figurat përfaqësojnë tipa dhe personazhe që shprehin karaktere të cilët duhet të pasqyrojnë jetën njerëzore me të mirat dhe të metat e saj, do të duhej një specialist. Ta dini mirë se ky specialist është Paulin Preka. Ky është brigadieri, karpentieri, biçilklisti, doktori, muratori, profesori, dashnori, Cuku e Luku, pasaniku e i munduari, fukaraja e deputeti, malësori e fusharaku, intelektuali e i padisiplinuari e ç’farë mund t’i kishte shkuar mendja çdo skenaristi e regjisori për t’ia besuar një rol atij. E përsëris edhe një herë ky është aktori Paulin Preka.

E gjen në skeçe, kuplete dhe parodi, me një diksion të pastër që i referohet të folmes tipike shkodrane, me një vesh muzikor të admirushëm, me një plastikë që në fillimet e tia ia favorizonte mosha, si dhe eksperiencën e fituar, duke u radhitur në plejaden e shquar të aktorëve humoristë shkodranë që e pranuan në gjirin e tyre si të barabartë.

Ky djalë simpatik, i shkathët dhe i zgjuar, e mbi të gjitha i talentuar do të bënte që rreth viteve 1945-1946 në moshën 11 vjeçare, mësuesi Lec Sekuj ta sillte në skenë me dramën “Djemtë e Rrugës Pal”, ku në këtë dramë Paulini interpretoi një ndër rolet kryesore.

Rreth viteve 1947-1948 hapet në Shkodër “Shtëpia e Pionierit” ku u krijua, krahas rretheve të tjera, edhe rrethi i teatrit, i cili zhvilloi shumë aktivitete që krijuan një traditë edhe për shumë vite me radhë.

Kështu në vitet ’50 në këtë qendër kulturore Paulini në një moshë fare të re shpalosi talentin e tij të lindur.

Në vitin 1953, falë pasionit dhe vullnetit që e karakterizonte Paulinin, u aktivizua pranë Shtëpisë së Kulturës dhe po në atë kohë nën drejtimin e regjisorit të mirënjohur Andrea Skanjeti, u shfaq e para premierë estrade amatore “Estradë në Penxhere” ku protagonistë ishin Tano Banushi dhe Paulin Preka, të cilët sollën një frymë të re në skenën e teatrit të humorit në qytetin e Shkodrës.

Në vitin 1954, kur sapo ishte krijuar “Klubi i Punëtorëve” e ftuan të luante një rol tek drama bullgare “Traktoristët” me regjisore Violeta Sekuj. Me këtë dramë konkuroi në Takimin Zonal të Veriut ku u shpall Laureat i këtij takimi, duke u vlersuar me diplomë nderi për interpretim të lartë artistik.

Në fund të vitit 1954 u mobilizua në shërbimin e detyrueshëm ushtarak, ku aktivizohet në Shtëpinë Qëndrore të Ushtrisë pranë Esradës së Ushtarit në role të ndryshme si, konferencier, recitues e pso jo edhe si aktor deri në fund të shërbimit në vitin 1956.

Viti 1957 e në vazhdim ishin mjaft të ngarkuar me aktivitete dhe ai edhe pse punonte marangoz në kooperativën e punimit të drurit, pasditeve aktivizohej në Shtëpinë e Kulturës nën drejtimin e të mirënjohurit Andrea Skanjeti. Atë vit kjo trupë shfaqi dramën “Rinia e Baballarëve”, një dramë që zuri vendin e parë në Lëvizjen Amatore Kombëtare. Në këtë dramë iu besua një rol me peshë mjaft të madhe, të cilin e interpretoi në mënyrë të shkëlqyer.

Trupa teatrore është krijuar që në vitin 1949, por shfaqjet e saja do e gjejnë veten në kushte komode në kohën kur kjo trupë do të interpretojë në skenën e Teatrit “Migjeni” që deri në ditët tona do të ishte një tempull legjendar i artit dhe i kulturës.

Duhet theksuar se trupa amatore e Shtëpisë së Kulturës, në vitin ’57 vë në skenë një komedi brilante që mirëpritet me duartrokitje në një turne në qytetet kryesore të vendit, duke u bërë kështu bërthama e trupës së ardhshme profesioniste të teatrit “Migjeni” dhe premisa e teatrit të estradës që nuk do të vononte të jepte shfaqet e para në këtë teatër.

Në vitin 1957 qyteti i Shkodrës ka teatrin e vet, një tempull që do të bënte histori në jetën artistike të qytetit, por edhe në rang republike e më gjërë. Ky tempull do të mblidhte në gjirin e tij djemtë dhe vajzat më të talentuar shkodranë, të cilët në atë skenë, në atë sallë dhe para atij publiku artdashës do të bënin shkollën dhe akademinë e tyre. Në këto ambiente ,mes gjirit të kësaj trupe u rrit profesionalisht edhe aktori i mirënjohur Paulin Preka, i cili jetën jashtë teatrit e bënte vetëm kur shkonte në shtëpi.

Për rreth 9 vjet që punoi si aktor drame, Paulin Preka interpretoi në disa role kryesore, ndër të cilët mund të veçojmë dramatizimin e romanit “Këneta”, përgatitur dhe vënë në skenë nga regjisori Esat Oktrova, ku Paulini u shqua në këtë shfaqje.

Sipas studiuesit Isa Alibali, në atë kohë u vu në diskutim: ku do të shquhej në të ardhmen Paulini, në teatër apo estradë dhe Paulinin e gjejmë aktor të estradës së sapo krijuar, ku me aftësitë e tij rifreskoi këtë gjini, duke u bërë kështu për vite me radhë një ndër interpretuesit më brilantë të skenës. Një vit më vonë për arsye të mungesës së materialeve letrare, Paulini provoi për herë të parë  t’i vijë në ndihmë trupës së estradës duke shkruar skeçin e tij të parë “Bacë Byreku” i cili u luajt nga mjeshtrat Tano Banushi, Zyli Miloti dhe Jolanda Shala dhe që do ta radhiste më vonë atë edhe në radhën e autorëve humoristë.

Ndër pjesët më brilante të repertorit 40 vjeçar të estradës interpretuar nga Paulin Preka, aktorët e mësipërm, si dhe një brezi më të ri mund të veçojmë: “Fotografi”, “Kola i dritave”, “Familja-A, familja-B”, “Tuçi e Lokja”, “Dasma e Refikut”, “Mini e Minusha”, “Wikend 96-76” etj.

Që nga viti 1967 e deri më sot janë shkruar nga aktori dhe autori Paulin Preka me qindra skeçe, parodi, dialogje e monologje. Materialet e tia janë pëlqyer dhe janë kërkuar e luajtur nga trupat profesioniste të rretheve të ndryshme si ajo e Peshkopisë, Kukësit, Estradës së Ushtarit, Durrësit, Beratit, Elbasanit, Pogradecit si dhe nga lëvizja amatore e qëndrave të punës të qytetit të Shkodrës, nga Mirdita, Lezha, Puka etj.

Aftësitë e tia si aktor, por dhe si autor libretesh, deri te gjinitë e vogla të humorit: skeçe, parodi, kuplete, pantonima, monologje e dialogje, grimca humoristike etj., kanë një vazhdimsi deri në këto ditë që po flasim, sepse plotësojnë figurën e këtij artisti të kompletuar si interpretues dhe shkrimtar.

Pas viteve 1990 janë një sërë premierash të shkruara si librete e të vëna në skenë, si ajo e të shtunave gazmore në RTSH në vitin 1994, ku spikasin materialet e “Ndihmat humane”, “Liçensa”,, “Dasma e Refikut” e mandej në këto vite materiale që kanë mbetur në kujtesen e spektatorëve si “Krapi”, “Kena harru baben”, “Urgjenca”, “Pikniku 1977 e 1997”, materiale në vargje si “Eksodi”, hapja e recitalit të Sandër Ruçit “Çka t’tha” e shumë e shumë të tjera, si “Operacioni i dajës”, “Udhëtim me mikrobuz” etj.

Në vitin 1998-1999 një mori poezish që janë të arkivuara nga familja, të cilat u transmetuan fillimisht në Radio Klan e mandej edhe në Radio Shkodra të tilla si “Një letër mikut tim”, “Prostitutës”, “Tomasit”, “Shkodër loces”, “Zotni”, “Andërr grash”, “Pensioni” etj.

Paulini i përket dy gjinive skenike: teatrit të dramës dhe atij të humorit, rreth 9 vite në dramë dhe 37 vite në estradë, karrierë plotësisht e mjaftueshme kjo për të krijuar personalitetin e tij artistik.

Paulin Preka me aftësitë e tij doli jashtë kufizimeve konvencionale të teatrit. Ai si një talent i lindur shkëlqeu edhe si aktor i artit të shtatë. Është nënpunës brilant në zgjidhjen e një situate komike tek filmi “Çifti i lumtur” një ndër perlat e kinemasë shqiptare të komedisë për të kapërcyer vite më vonë përsëri në këtë zhanër me komedinë filmike “Pak fresk sonte”.

Paulini nëpërmjet punës së tij intensive, arriti të meritojë nga publiku duartrokitjet dhe simpatinë, ndërsa nga institucionet shtetërore vlerësime të larta. Në vitin 1974 laurohet me urdhërin “Naim Frashëri i Klasit të III”, në vitin 1980 me urdhërin “Naim Frashëri të Klasit të II”, në vitin 1988 me titullin e Lartë “Artist i Merituar”.

Në vitin 1996 pak muaj përpara se të mbyllte marrëdhëniet e punës me teatrin “Migjeni”, në takimin e trupave Profesioniste në Tiranë, u vlerësua si “Aktori më i mirë  i Karrierës”, “Krenaria e qytetit” në vitin 2009 dhe “Nderi i Komunës” Bushat në vitin 2012.

Paulin Preka shpejt u bë një partner i denjë për Tano Banushin, mësoi prej tij dhe prej aktorëve të tjerë, shpesh herë duke pasur përparësinë, dhe u harmonizua bukur me gjithë kolektivin e aktorëve, ndikoi fuqishëm në rritjen cilësore të estradës jo vetëm me interpetimet brilante, por edhe me shkrimet humoristike shumë të bukura që kanë firmën e tij. Aftësitë e tij  erdhën gjithnjë duke u rritur dhe sot ai  shkëlqen me të gjithë elementët si një aktor brilant, shumë i dashur për spektatorët dhe gjithnjë i pëlqyeshëm dhe i freskët.

Do të ishte shumë i mangët shkrimi im sikur të mungonin opinionet dhe vlerësimet e një hirësie të nderuar të dramaturgjisë shqiptare, shkrimtarit dhe dramaturgut prof. Fadil Krajës, i cili tha për Paulinin: “Paulin Preka mbetet një ndër ata aktorët nga më të shquarit që shkruan historinë brilante të Teatrit Profesionist “Migjeni” të Shkodrës. Është një ndër figurat më të spikatura dhe më gjurmëlënëse në historinë e estradës Shqiptare në përgjithësi dhe asaj të Shkodrës në veçanti”.

Paulin Preka me familjen e tij prej vitesh jeton në Itali, është shumë i lumtur së bashku me bashkëshorten e tij Kristinen dhe fëmijët, të cilët kanë krijuar familjet dhe të ardhmen e tyre, dhe si trashëgimtarë të familjes Preka bëjnë përpjekje të mbajnë gjallë atë që mund të quhet “Dosja artistike Paulin Preka”.

Mendoj se kjo dosje faqen e parë dhe faqen e fundit i ka në Shkodër, sepse nuk është çudi që një ditë papritmas të shohësh në Shkodër një person me një ecje krejt të veçantë, që të kujton lëvizjet e një aktori në skenë, me përshëndetje gati-gati aktoreske, me një çiltërsi të një portreti që nuk plaket kurrë. Më pas atë e gjen në ndonjë lokal, në lagje apo qendër, mes miqsh ashtu alegro e me buzë në gaz dhe të duket se e ke parë edhe dje apo pardje, pasi mungesën e tij fizike, “zhdukjen” për disa kohë e kompenson respekti dhe afrimiteti që ka ai vetë me të gjithë shkodranët. Ta dinë mirë se në Shkodër ka ardhur Paulin Preka.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here